Një 34-vjeçare është arrestuar të dielën në Kaliforni nga FBI-ja, nën dyshimet se ka vepruar si agjente e paregjistruar e Kinës dhe se ka vëzhguar djalin e presidentit të Tajvanit, Lai Ching-te, së bashku me familjen e tij.
Të lidhura
None found
Autoritetet federale amerikane bëjnë të ditur se Wanying “Heather” Zhang, me banim në Irvine, dyshohet se ka mbledhur të dhëna për një të afërm të një zyrtari të lartë të qeverisë tajvaneze, pas një udhëtimi në Seattle gjatë vitit 2025.
Në kallëzimin federal, të nënshkruar të shtunën, thuhet se Zhang ishte porositur nga zyrtarë kinezë të siguronte informacione dhe të fotografonte të afërmin, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
FBI-ja deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se e dyshuara kishte ndjekur dhe survejuar djalin e presidentit tajvanez dhe familjarët e tij.
Sipas agjentit special të FBI-së, Kevin Holt, Zhang dhe një person i referuar në dokumente si “Individual 1” u nisën më 1 shtator 2025 nga Las Vegas drejt Seattle. Atje, ata shkuan në afërsi të banesës së të afërmit të zyrtarit.
Regjistrimet e një kamere sigurie, të vendosur nga një fqinj, tregojnë se dy personat qëndruan jashtë banesës në një automjet të zi me qira.
Kur i afërmi dhe familja e tij mbërritën në shtëpi, Zhang dhe bashkëpunëtori i saj dyshohet se hipën menjëherë në automjet. Më pas, ata nxorën telefonat dhe i drejtuan në një mënyrë që, sipas FBI-së, lë të kuptohet se po fotografonin ose filmonin familjen.
Dokumenti federal thekson se të dhënat për vendndodhjet, banesat dhe automjetet e të afërmve të një zyrtari të lartë tajvanez mund t’i shërbenin qeverisë kineze në rast se Pekini do të përpiqej të ushtronte presion ndaj presidentit të Tajvanit gjatë një konflikti të mundshëm.
Prokurori federal amerikan Bill Essayli tha se Zhang e kishte koordinuar udhëtimin me një bashkëpunëtor dhe kishte përdorur mënyra për t’iu shmangur zbulimit.
Sipas tij, 34-vjeçarja nuk e kishte njoftuar Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së se po vepronte në emër të një qeverie të huaj. Një veprim i tillë përbën vepër penale sipas ligjit federal amerikan.
Zhang pritet të paraqitet të hënën në Gjykatën Federale në Los Angeles, ku do të zhvillojë seancën e saj të parë.
Nuk dihet nëse ajo ka siguruar një avokat. CNN ka kërkuar një reagim nga FBI-ja, Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe ambasada kineze.
Zëdhënësja e Zyrës Presidenciale të Tajvanit, Karen Kuo, dënoi veprimet e dyshuara të Zhang dhe i përshkroi ato si një rast të “represionit klasik transnacional”.
Tajvani prej dekadash mbetet në qendër të përplasjeve mes Pekinit dhe vendeve perëndimore. Partia Komuniste Kineze e konsideron ishullin pjesë të territorit të Kinës, ndonëse Pekini nuk e ka kontrolluar asnjëherë Tajvanin. Qeveria kineze ka përsëritur se synon “ribashkimin” me ishullin dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës.
Presidenti tajvanez Lai Ching-te është një prej figurave që ka nxitur reagime të ashpra nga Pekini, për shkak të qëndrimeve të tij në favor të sovranitetit të Tajvanit.
Përmes politikës “One China”, Shtetet e Bashkuara njohin qëndrimin e Pekinit se Tajvani është pjesë e Kinës, por nuk e kanë njohur zyrtarisht pretendimin e Partisë Komuniste Kineze mbi ishullin e vetëqeverisur.
Hetimi për Zhang vijon, ndërsa pritet që autoritetet amerikane të publikojnë më shumë të dhëna gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore.
