Familja e Lionel Messi ka njoftuar se Jorge Messi po përballet me një situatë delikate shëndetësore dhe se aktualisht ndodhet nën ndjekje të pandërprerë mjekësore.
Në reagimin zyrtar të publikuar të enjten, u bë e ditur se babai i futbollistit argjentinas është në fazë rikuperimi dhe se gjendja e tij po shkon drejt përmirësimit, edhe pse nuk janë dhënë hollësi të tjera për problemin shëndetësor që ka.
Të lidhura
None found
“Aktualisht, ai është nën mbikëqyrje mjekësore, duke u rikuperuar dhe duke përparuar pozitivisht në gjendjen që paraqet”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtin mesazh, familja bëri thirrje që të mos qarkullojnë aludime apo të dhëna të pakonfirmuara, duke nënvizuar se privatësia duhet respektuar në këtë periudhë të ndjeshme.
“Në momente të tilla kërkojmë përgjegjësi, maturi dhe humanizëm. Shëndeti i një personi dhe qetësia shpirtërore e familjes nuk duhet të bëhen objekt spekulimesh”, thuhet më tej në reagim.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Lionel Messi është i angazhuar me Argjentinën në FIFA World Cup 2026. Vetëm pak ditë më parë, pas ndeshjes së parë të kombëtares argjentinase në turne, ai kishte pohuar se kishte kaluar “disa ditë të vështira dhe të ndërlikuara” për arsye që nuk kishin lidhje me futbollin.
Pavarësisht kësaj situate, kapiteni i Argjentinës ka vijuar të spikasë në fushë. Në ndeshjen hapëse kundër Algjerisë, Messi shënoi tre gola dhe kontribuoi që Argjentina ta nisë me fitore mbrojtjen e titullit botëror.
Falë këtij tregolëshi, ai shkoi në 16 gola në historinë e Kupave të Botës, duke u barazuar me Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë turne.
Ndërsa Argjentina kërkon një tjetër sukses botëror, interesimi i tifozëve mbetet i përqendruar jo vetëm te performancat e Messit në fushë, por edhe te gjendja shëndetësore e babait të tij, për të cilin familja kërkon qetësi dhe respekt maksimal.
