“Është koha për të ndërmarrë iniciativa të reja” Franca njofton projekt-rezolutën e re për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Franca tha të enjten se ishte aktualisht duke punuar për një projekt-rezolutë të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara raportuan për herë të parë një plan të ngjashëm.

“Ne besojmë se është koha për të ndërmarrë iniciativa të reja në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një konflikt që vazhdon”, nënvizoi sot Christophe Lemoine, zëvendës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, duke kujtuar situatën shkatërruese humanitare.

Pas më shumë se pesë muajsh konflikti, komuniteti ndërkombëtar po rrit përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim përballë katastrofës humanitare në Gaza, ku rreth 32,000 njerëz janë vrarë, sipas Hamasit, në bombardimet izraelite pas sulmeve të përgjakshme nga Lëvizja islamike në Izrael më 7 tetor.

“Franca, në këtë kontekst, merr përgjegjësitë e saj dhe aktualisht po punon për një projektvendim”, shtoi ai, duke sqaruar se kreu i diplomacisë franceze, Stéphane Cezournet, diskutoi dje, të mërkurën, me homologët e tij nga Algjeria, Egjipti, Jordania dhe Palestina “për të eksploruar mënyrat e një rezolute që kërkon kryesisht një armëpushim të menjëhershëm”.

Zyrtari nuk ishte në gjendje të specifikonte se kur mund të paraqitej ky draft, por, sipas mendimit të tij, ai mund të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit ndryshe nga projekt-rezolutat e paraqitura më parë nga Franca.


Shtuar 21.03.2024 21:11