Elon Musk padit shefin e OpenAI, Sam Altman: Po e përdor Inteligjencën Artificiale për të bërë para

Miliarderi i “Space X”, Elon Musk ka hedhur në gjyq kompaninë që ka hedhur në treg ChatGPT, dhe themeluesin e tij, Sam Altman

Ai ka akuzuar Altman se e ka braktisur misionin fillestar të kompanisë për të zhvilluar inteligjencën artificiale për t’i ardhur në ndihmë njerëzimit, pa qëllime fitimi.

Kallëzimi është bërë ditën e enjte pasdite dhe në të thuhet ndër të tjera se Altman dhe bashkëthemeluesi i OpenAI, Greg Brockman i janë qasur fillimisht Musk-ut për të krijuar një kompani “open source”, jofitimprurëse.

Megjithatë, avokatët e Elon Musk, e akuzojnë kompaninë tashmë se e ka kthyer fokusin te fitimi i parave dhe kjo, sipas tyre, përbën shkelje të kontratës.

Po ashtu, në kallëzim thuhet se OpenAI e ka mbajtur dizajnin e GPT-4, versionin e saj më të avancuar të Inteligjencës Artificiale, “sekret absolut.”

Elon Mask bashkëthemeloi OpenAI në vitin 2015, por u largua nga bordi i saj në vitin 2018.

Miliarderi drejton gjithashtu prodhuesin e automjeteve elektrike Tesla (TSLA.O), prodhuesin e anijeve kozmike SpaceX dhe bleu në tetor të 2022,për 44 miliardë dollarë platformën “X”.

Vitin e kaluar, Sam Altman u shkarkua nga ish-bordi i OpenAI, i cili tha se po përpiqej të mbronte misionin e kompanisë për të zhvilluar Inteligjencë Artificiale që mund t’i sjellë benefite njerëzit. Disa ditë më vonë, Altman u kthye në kompani me një bord të ri.


Shtuar 1.03.2024 21:07