Christa Pike, e cila mbijetoi një ekzekutimi të dështuar në Tennessee, po trajtohet në spital nën masa të rrepta sigurie. Avokati i saj, Stephen Ferrell, thotë se ende nuk dihet nëse 50-vjeçarja do të arrijë të rikuperohet.
Të lidhura
None found
Ferrell deklaroi për CNN se dhoma ku ndodhet Pike ruhet nga roje. Ai tha se nuk është lejuar të hyjë brenda dhe se mjekët nuk kanë dhënë ende një prognozë afatgjatë, pasi mund të nevojiten disa ditë për të vlerësuar dëmtimet.
“Nëse rikuperohet, mund të mos rikuperohet plotësisht”, u shpreh avokati.
Pike vijon të jetë pa ndjenja dhe nuk ka rifituar aftësinë për të komunikuar. Ajo u dërgua në spital në gjendje të pavetëdijshme, me krahë të enjtur dhe flluska në lëkurë, ndërsa më pas u intubua dhe u vendos nën ventilim mekanik.
Ekzekutimi ishte planifikuar për 30 shtator, pas rreth 30 vitesh qëndrimi në burgun e të dënuarve me vdekje. Pike u dënua me vdekje në vitin 1996 për torturimin dhe vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer, krim i kryer në vitin 1995.
Gjatë procedurës, personeli mjekësor u përpoq t’i jepte dy doza pentobarbital. Dokumentet gjyqësore dhe dëshmitë bëjnë të ditur se u përdorën të paktën shtatë gjilpëra dhe se i gjithë procesi zgjati rreth dy orë.
Edhe pas injektimit të dozave, Pike nuk ndërroi jetë. Sipas avokatëve të saj, gjatë ekzekutimit ajo dëgjohej duke qarë, rënkuar dhe duke marrë frymë me vështirësi. Raportohet se, edhe pasi mediat u larguan nga dhoma e vëzhgimit, prej aty dëgjoheshin ende tingujt e gërhitjes së saj.
Avokatët dyshojnë se dështimi lidhet me vendosjen e pasaktë të linjave intravenoze, çka mund të ketë penguar kalimin e pentobarbitalit në qarkullimin e gjakut.
Sipas tyre, ekipi i ekzekutimit nuk e kuptoi në kohë se linjat nuk ishin vendosur siç duhej ose se venat mund të ishin dëmtuar. Në vend që të zgjidhej problemi, pretendohet se u përdor një tjetër grup shiringash me pentobarbital.
Mbrojtja ka kërkuar ruajtjen e të gjitha provave të procedurës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të Pike.
Pas incidentit, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, pezulloi ekzekutimet e tjera për pjesën e mbetur të vitit dhe urdhëroi një hetim të pavarur për të zbardhur atë që ndodhi.
Po ashtu, Frank Strada, komisioneri i Departamentit të Korrigjimeve të Tennessee, njoftoi dorëheqjen. Ai do të largohet nga detyra më vonë gjatë këtij muaji dhe deklaroi se beson që departamenti veproi në përputhje me protokollin, por se dorëheqja e tij është në interes të qytetarëve gjatë hetimit.
Autoritetet e Tennessee nuk kanë bërë të ditur nëse do të përpiqen sërish të ekzekutojnë Pike. Avokati i saj i ka kërkuar guvernatorit që dënimi kapital të zëvendësohet me burgim të përjetshëm, duke argumentuar se ajo ka kaluar vuajtje të mëdha fizike dhe psikologjike gjatë procedurës.
Më herët, Pike kishte pretenduar në gjykatë se ekzekutimi mund të përbënte trajtim mizor dhe çnjerëzor, duke iu referuar problemeve të saj shëndetësore dhe karakteristikave fizike, përfshirë venat e vogla.
