Autoritetet shëndetësore të Republikës Demokratike të Kongos raportuan se, që prej nisjes së shpërthimit epidemik, janë evidentuar më shumë se 2 mijë raste me Ebola dhe 754 persona kanë humbur jetën.
Të lidhura
None found
Organizata Mjekët pa Kufij (MSF) vlerëson se virusi po përhapet me një shpejtësi të pa hasur më parë.
Sipas saj, brenda më pak se pesë javësh, rastet e konfirmuara janë trefishuar, ndërsa numri i viktimave është rritur mbi pesë herë.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se shifrat reale të epidemisë së lidhur me variantin Bundibugyo të Ebolës mund të jenë “dy deri në katër herë më të mëdha” se të dhënat zyrtare.
Për këtë variant të virusit ende nuk ka vaksinë ose trajtim të miratuar. Megjithatë, OBSH njoftoi fillimin e provës së parë klinike, e cila synon të vlerësojë efikasitetin e një medikamenti antiviral kundër llojit Bundibugyo.
Bilanci më i fundit i institucioneve shëndetësore tregon se mbi 2 mijë raste janë konfirmuar në pesë provinca të Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa viktimat kanë arritur në 754.
MSF theksoi se sëmundja po zgjerohet në territore të reja me një “ritëm të paparë”, duke kërkuar forcimin urgjent të reagimit mjekësor.
Organizata nënvizoi se shpërthimi aktual ka kaluar tashmë gjysmën e numrit të rasteve të shënuara gjatë epidemisë së Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos në vitet 2018–2020, e cila zgjati afro dy vjet.
Epidemia e tanishme u deklarua më 15 maj, pas raportimeve për disa vdekje në provincën Ituri, në verilindje të vendit. Rajoni është i pasur me minerale dhe në të veprojnë grupe të armatosura.
Raste të Ebolës janë regjistruar në pesë provinca të Republikës Demokratike të Kongos, si edhe në Ugandën fqinje. Megjithatë, më shumë se 90% e tyre vijojnë të raportohen në provincën Ituri.
