Volodymyr Zelensky ka kritikuar ashpër Vladimir Putinin përmes një video-mesazhi, duke thënë se presidenti rus po mbështetet te lodhja e Ukrainës dhe aleatëve të saj nga konflikti.
Të lidhura
None found
“Putini shpreson që ne jemi të lodhur. Ne e dimë që ai është i vdekshëm”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelensky iu drejtua drejtpërdrejt kreut të Kremlinit, duke theksuar se objektivi i Rusisë ishte pushtimi i të gjithë Ukrainës. Sipas tij, rezultati ka qenë krejt tjetër: Moska ka humbur flotën, rafineritë dhe të ardhurat, ndërsa një brez i tërë rusësh është dërguar në luftë. “Ju donit të merrnit të gjithë Ukrainën, të gjithë tokën tonë. Në vend të kësaj, humbët rafineritë tuaja, flotën tuaj, të ardhurat tuaja dhe një brez të tërë që e dërguat në mullirin e mishit”, u shpreh ai.
Presidenti ukrainas akuzoi gjithashtu Rusinë se kishte synuar ta fshinte Ukrainën nga harta, por nënvizoi se tashmë është vetë Moska ajo që po humbet peshë në skenën ndërkombëtare.
Në përfundim të mesazhit, Zelensky sulmoi sërish udhëheqjen ruse, duke thënë: “Për 27 vjet, udhëheqësi i Rusisë ka folur për madhështinë, ndërsa rusët kanë pritur në radhë për benzinë”.
