“Do vazhdojmë me ofensivën në Rafah”, Netanyahu: Do të luftojmë deri sa të fitojmë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se trupat e tij do të avancojnë në Rafah të Gazës, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë thirrjet e vendeve të tjera.

Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë e tij që të përgatitet për një sulm tokësor të fuqishëm, duke deklaruar se Hamasi duhet të eliminohet nga Gaza.

“Ne do të luftojmë deri në fitoren e plotë dhe kjo përfshin një aksion të fuqishëm edhe në Rafah pas evakuimit të civilëve,” tha ai.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ishte mes atyre që paralajmëruan Netanyahu, duke i thënë se kostoja e operacionit të Izraelit në Gaza ishte e patolerueshme.

Ai shprehu kundërshtimin e vendosur të Francës ndaj një ofensive izraelite në Rafah, e cila mund të çojë vetëm në një fatkeqësi humanitare të përmasash të reja.

Kryeministrat e Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re dhanë një deklaratë të përbashkët duke shprehur shqetësimin e tyre të madh se një operacion ushtarak në Rafah do të ishte katastrofik.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të mos ndjekë këtë rrugë”, thuhet në deklaratë.