“Ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe dashurie…”, Papa Françesku, katolikëve: Lutuni për mua!

Papa Françesku u ka kërkuar katolikëve që të luten për të, pasi ai vazhdon të trajtohet në spital për pneumoni të dyfishtë. Papa nuk ishte në gjendje të bënte lutjen tradicionale të Engjëllit personalisht për të dielën e dytë radhazi.

Mesazhi vjen pasi Vatikani zbuloi të shtunën se gjendja e 88-vjeçarit vazhdon të jetë “kritike”.

“Ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe dashurie dhe më kanë goditur veçanërisht letrat dhe vizatimet e fëmijëve.

Faleminderit për këtë afërsi dhe për lutjet e ngushëllimit që kam marrë nga e gjithë bota! Ju besoj të gjithëve në ndërmjetësimin e Marisë dhe ju kërkoj të luteni për mua.”, thuhet në mesazhin e publikuar të dielën nga Vatikani.

88-vjeçari u shtrua për herë të parë në spital më 14 shkurt pasi pati vështirësi në frymëmarrje për disa ditë.

Gjatë 12 viteve të tij si udhëheqës i kishës katolike romake, Papa Françesku është shtruar në spital disa herë, duke përfshirë në mars 2023, kur ai kaloi tre netë në spital me bronkit.


Shtuar 23.02.2025 15:02