Dhjetë të plagosur nga predhat e raketave ruse në Kiev, 300 mijë njerëz pa energji elektrike në Odessa

Ditën e sotme janë plagosur D=dhjetë persona nga predha e raketave ruse të rrëzuara në Kiev, gjë që tregon se Ukraina ka nevojë urgjentisht për sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore.

Rusia ka shtuar bombardimet e saj ndaj vendit fqinj në javët e fundit, duke synuar kryesisht infrastrukturën energjetike, si hakmarrje për sulmet e Ukrainës në provincat e saj kufitare. Sot ishte sulmi i tretë ajror në kryeqytet në pesë ditë.

Një 65-vjeçar u vra nga një predhë artilerie në fshatin Vovchansk, në rajonin e Kharkiv. Shpërthime u dëgjuan në Kiev menjëherë pas dëgjimit të paralajmërimit kundërajror. “Ishte një re pluhuri, xhamat e makinave dhe xhamat e dyqaneve u thyen, gjithçka u shkatërrua”, tha një banore e kryeqytetit, Oksana, e cila ishte në punë në atë kohë.

Shërbimet e shpëtimit publikuan fotografi që tregojnë ndërtesa të dëmtuara rëndë dhe një krater pranë një shtëpie. Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, dy raketa balistike të lëshuara nga Krimea e aneksuar u kapën.

11 persona të tjerë u plagosën gjatë natës, nga sulmi i avionëve rusë pa pilot në rajonet Mykolayiv dhe Odesa. Në Odesa, 300 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme, sepse infrastruktura energjetike u shkatërrua nga sulmet, sipas autoriteteve lokale.


Shtuar 25.03.2024 22:13