Presidenti francez Emmanuel Macron ka vendosur të riemërojë Sébastien Lecornu në postin e kryeministrit, pavarësisht dorëheqjes që ky i fundit dha mëngjesin e së hënës.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Pallati Elize, ndërsa vendimi vjen në një moment delikat për politikën franceze, me sfida të mëdha përpara.
Lecornu, ish-ministër i Mbrojtjes, kishte preferuar të largohej nga detyra duke deklaruar se “kushtet për të vazhduar nuk ishin të përshtatshme” dhe se “interesat e ngushta kishin mbizotëruar”, një mesazh që u interpretua si kritikë e hapur ndaj klimës politike aktuale.
Megjithatë, vetëm pak minuta pas konfirmimit të emërimit të tij të ri, Lecornu reagoi përmes rrjetit social X (ish-Twitter), ku u shpreh: “E pranoj me përkushtim misionin që më është besuar për të siguruar që Franca të ketë një buxhet deri në fund të vitit.”
Ky zhvillim vjen paralelisht me takimet e Macron me përfaqësuesit e partive politike në Pallatin Elize, në përpjekje për të gjetur një konsensus që do të shmangte një krizë më të thellë ose edhe shpërbërjen e mundshme të Parlamentit.