“Dështuan” në pushtimin e Ukrainës, Putini u “pret kokat” 8 gjeneralëve

Presidenti rus nuk është i lumtur me mënyrën sesi po shkon rrjedha e pushtimit të Ukrainës, sidomos me humbjet e fundit. Për këtë arsye, sipas raportimeve që citojnë një zyrtar ukrainas, lideri rus u ka “prerë kokën” tetë gjeneralëve të tij.

Sipas Ukrainskaya Pravda, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës Alexei Danilov tha të mërkurën e kaluar se armiku “kërkoi largimin e rreth 8 gjeneralëve nga postet e tyre sepse ata nuk e kryen misionin e tyre.

“Tashmë janë emëruar të rinj.”

“Ne e kuptojmë shumë mirë se çfarë po ndodh në Federatën Ruse. Përveç kësaj, mund të them se ata janë të dëshpëruar”, shtoi Danilov.

Zyrtari ukrainas theksoi se Moska ka ndryshuar planet e saj ushtarake për shkak të mënyrës sesi po shkon pushtimi i Ukrainës. Edhe propagandistët rusë kanë ndryshuar tani retorikën e tyre, vuri në dukje Danilov, duke shtuar se janë larguar nga deklaratat e ashpra të ditëve të para të luftës, duke parë rezistencën e guximshme dhe të bashkuar të ukrainasve.

Kujtohet se në një konferencë për mediat, Ministria Britanike e Mbrojtjes foli për humbje të shtuara në forcat ruse, për shkak të të cilave Putini do të detyrohet të tërheqë forca nga të gjitha nivelet e ushtrisë ruse ose “nga burime të tjera” për t’i zëvendësuar ato.