Autoritetet daneze janë akuzuar që po vënë në rrezik të ardhmen e dhjetëra fëmijëve refugjatë duke kërcënuar t’i dëbojnë në Siri, pavarësisht paralajmërimeve se nuk është i sigurt një veprim i tillë. Në një deklaratë publike, Save the Children tha se është “jashtëzakonisht në shqetësim” pasi zbuloi se të paktën 70 fëmijë refugjatë rrezikojnë të dëbohen në Siri.
Danimarka shkaktoi reagime të ashpra pasi u njoftuan planet për të hequr mbrojtjet e përkohshme të refugjatëve sirianë nga Damasku, kryeqyteti i Sirisë. Masa erdhi pas një raporti të vitit të kaluar në të cilin qeveria tha se “kushtet në Damask nuk janë më aq serioze sa të ketë arsye për dhënien ose zgjatjen e lejeve të qëndrimit.”
Si rezultat i vendimit, qindra refugjatë sirianë nga rajoni rrezikojnë të humbasin lejet e qëndrimit, gjë që do t’i detyrojë të kthehen në një vend që është përfshirë në konflikt për dekadën e fundit.
“Fëmijët, të cilët nuk kanë përgjegjësi për konfliktin shkatërrues në Siri, janë viktima të një krize të krijuar nga të rriturit. Shumë prej tyre nuk kanë njohur kurrë një Siri paqësore, e cila është zhytur në konflikt për më shumë se dhjetë vjet tani,” u shpreh Anne Margrethe Rasmussen, përfaqësuesja e Save the Children për Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Në një fushatë të kohëve të fundit, Save the Children foli me më shumë se 1,900 fëmijë dhe kujdestarë në Siri, Jordani, Liban, Turqi dhe Hollandë dhe zbuloi se shumica dërrmuese e fëmijëve thanë se nuk shihnin një të ardhme në Siri pas dhjetë vjetësh konflikt.
Nga të pyeturit, 86% e fëmijëve refugjatë sirianë në vendet e mësipërme thanë se nuk dëshironin të ktheheshin në “vendin e prindërve të tyre”. Edhe në mesin e të anketuarve brenda Sirisë, një në tre tha se do të preferonin të ishin diku tjetër.
“Danimarka ishte vendi i parë që regjistroi Konventën e Refugjatëve në vitin 1951. Tani ajo po krijon një precedent të rrezikshëm duke ndërmarrë hapin e parë për t’i dërguar njerëzit përsëri në një vend që nuk është i sigurt,” u shpreh Sonia Khush, drejtoresha e Save the Children në Siri.