Çmontonin makina luksoze dhe vidhnin pjesë këmbimi, arrestohen dy shqiptarë në Itali

Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të cilët u kapën duke grabitur pjesë nga automjete të parkuara, ata përzgjodhën me kujdes makinat e markave luksoze.

Sipas mediave italiane, u arrestua një 37-vjeçar dhe një 33-vjeçar, të akuzuar për çmontim dhe vjedhje pjesësh nga makina luksoze të parkuara në rrugët e Bergamos dhe në zonat përreth saj.

Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua gjatë natës në disa zona të provincës së Bergamos, ku ata u arrestuan në flagrancë ndërsa po kryenin vjedhjet.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ata fillimisht kanë vjedhur një automjet tip “Fiat 500L” të parkuar në Bergamo, të cilin e përdorën për t’u zhvendosur drejt Treviolos. Atje çmontuan timonin, parakolpin, kapakun e motorit dhe dritat e përparme të një “Mercedes GLC”.

Më pas, autorët u zhvendosën në Curno, ku vodhën të njëjtat pjesë nga një “Audi Q8”, si dhe morën dy sedilje për fëmijë.

Dy të arrestuarit u dërguan në burg nga karabinierët dhe rezultojnë persona të njohur për policinë. Ata akuzohen për kryerjen e tre vjedhjeve.


Shtuar 16.02.2026 21:47