Për herë të parë, Mbreti Charles ka bërë publike shumën që ka paguar në taksa, duke u kthyer në monarkun e parë në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar që zbulon faturën e tij tatimore.
Raporti dhe llogaritë vjetore mbretërore tregojnë se për vitin financiar 2024-2025 ai ka derdhur 12.9 milionë paund taksa, një nivel që e pozicionon mes 100 taksapaguesve më të mëdhenj në Britani.
Të lidhura
None found
Në të njëjtin dokument është bërë e ditur se edhe Princi i Uellsit, William, ka publikuar pagesat e tij tatimore, duke deklaruar 7.76 milionë paund tatim mbi të ardhurat dhe fitimet kapitale për të njëjtën periudhë.
Sipas Pallatit Buckingham, vendimi për të publikuar këto shifra është marrë personalisht nga Mbreti Charles dhe Princi William, me synimin për të shtuar transparencën dhe për të forcuar llogaridhënien e institucionit të monarkisë. Zyrtarë mbretërorë thanë se ky veprim synon t’i ndihmojë qytetarët të kuptojnë më qartë mënyrën se si menaxhohen financat e Familjes Mbretërore.
Raporti bën me dije gjithashtu se gjatë vitit financiar 2023-2024, Mbreti Charles kishte paguar 11.7 milionë paund taksa, ndërsa Princi William 8.34 milionë paund. Në total, që nga viti 2022, kur Charles mori fronin dhe William u bë trashëgimtar, të dy kanë paguar bashkë mbi 50 milionë paund taksa ndaj autoriteteve britanike.
Megjithatë, dokumenti nuk ofron një ndarje të hollësishme të mënyrës se si është përllogaritur detyrimi tatimor. Ajo që dihet është se Mbreti paguan normën më të lartë të tatimit.
Princi William, nga ana e tij, financohet përmes Dukatit të Cornwall-it, një pronë trashëgimore me rreth 130 mijë hektarë sipërfaqe dhe me vlerë afërsisht 1 miliard paund, ku përfshihet edhe stadiumi i kriketit Oval në Londër. Sipas sekretarit të tij privat, Ian Patrick, princi paguan tatimin mbi të ardhurat me normën më të lartë për të gjitha të ardhurat neto pas zbritjes së kostove të lejuara, të cilat kontrollohen nga auditime të pavarura.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i bërë publik është se Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla nuk do të transferohen në Pallatin Buckingham pas përfundimit të restaurimeve. Ata do të vijojnë të jetojnë në Clarence House, rezidenca e tyre që prej vitit 2005.
Sipas zyrtarëve të pallatit, ky vendim është marrë për të mundësuar më shumë akses për publikun në Pallatin Buckingham dhe për të shtuar të ardhurat nga vizitorët. Restaurimi i godinës, me një kosto prej afro 370 milionë paundësh, pritet të mbyllet në mars të vitit të ardhshëm. Ky do të jetë rasti i parë që prej mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria që një monark zgjedh të mos jetojë në Pallatin Buckingham.
Raporti financiar zbulon edhe se Granti Sovran, burimi kryesor i financimit publik për monarkinë, do të rritet në 99.9 milionë paund në vit nga periudha 2027-2028. Këto para do të përdoren për mirëmbajtjen e rezidencave mbretërore, përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe investime në energjinë e gjelbër, përfshirë zëvendësimin e kaldajave në Kështjellën Windsor.
Në dokument përfshihen edhe kostot e udhëtimeve mbretërore. Udhëtimi më i shtrenjtë jashtë vendit ishte vizita tre-ditore e Princit William në Arabinë Saudite, me një kosto mbi 130 mijë paund, ndërsa vizita shtetërore katër-ditore e Mbretit Charles dhe Mbretëreshës Camilla në Itali kushtoi rreth 127 mijë paund. Gjatë vitit të kaluar, Familja Mbretërore realizoi gjithashtu 177 fluturime me helikopter, me një kosto totale prej mbi 733 mijë paundësh.
Është bërë publik edhe vendimi i Princit William për të hequr dorë nga një përfitim personal prej 1.5 milionë paundësh në vit nga qiraja e burgut Dartmoor. Me kërkesën e tij, këto fonde do të përdoren për të mbështetur komunitetin lokal të Princetown-it, pranë burgut, i cili është mbyllur që nga viti 2024 për shkak të niveleve të larta të gazit radon.
Ekspertët e kanë cilësuar publikimin e këtyre të dhënave si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës së monarkisë britanike, në një kohë kur kërkesat për më shumë llogaridhënie mbi financat e Familjes Mbretërore janë bërë gjithnjë e më të forta.
