Cameron anashkalon refuzimin e kancelarit Scholz, propozon dërgimin e raketave në Ukrainë

BRITANI E MADHE- Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron propozon dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, duke anashkaluar refuzimin e kancelarit Olaf Scholz, i cili dëshiron të shmangë mundësinë që Gjermania të shihet si e përfshirë drejtpërdrejt në luftë.

Në një intervistë me Sueddeutsche Zeitung, Cameron thotë se Gjermania mund të dorëzojë raketa Taurus në Britani, e cila nga ana tjetër do të dërgonte më shumë raketa Storm Shadow në Ukrainë.

“Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtë me partnerët tanë gjermanë për këtë, si për çështje të tjera, në mënyrë që të ndihmojmë Ukrainën. Ne jemi të përgatitur të shqyrtojmë të gjitha opsionet për të arritur rezultatin maksimal të mundshëm”, tha Sekretari i Jashtëm britanik, duke theksuar në të njëjtën kohë se ai nuk do të zbulojë detaje.

Kancelari Olaf Scholz shkaktoi një reagim të ashpër brenda dhe jashtë vendit kur, duke refuzuar dorëzimin e raketave Taurus në Ukrainë, ai sqaroi se Gjermania nuk mund të bëjë atë që po bëjnë francezët dhe britanikët, duke nënkuptuar se të dy vendet kanë trupat e tyre në Ukrainë për të kontrolluar funksionimin e sistemeve të raketave me rreze të gjatë.

Por Britania dhe Franca deri më tani nuk kanë konfirmuar se kanë mbajtur kontrollin e raketave që kanë furnizuar forcat e armatosura ukrainase. Dje, gjatë një konference për shtyp të mbajtur nga Cameron me homologen e tij gjermane Analena Burbock në Berlin, ai u kufizua duke thënë se vendimi për misionin Taurus do të merrej nga qeveria sovrane gjermane dhe se Londra kishte një bashkëpunim shumë të fortë me Berlinin./albeu.com


Shtuar 9.03.2024 20:53