Bisedimet për armëpushimin në Gaza janë bllokuar, Hamasi tërhiqet pa marrëveshje nga Kajro

Hamasi thotë se delegacioni i tij është larguar nga Kajro, ku po zhvillonte bisedimet e armëpushimit në Gaza, dhe është rrugës për në Doha të Katarit.

Sipas Aljazeera, Hamasi tha në një deklaratë se pushtimi i Rafahut nga Izraeli dhe kapja e pikës kufitare të zonës kishin për qëllim pengimin e përpjekjeve të ndërmjetësve dhe përshkallëzimin e luftës.

Ai ripohoi gjithashtu angazhimin e tij ndaj propozimit aktual të armëpushimit.

Izraeli do të “qëndrojë i vetëm” nëse është e nevojshme, thotë Netanyahu

Ndërkohë, në një mesazh të dukshëm për Joe Biden, i cili ka zgjedhur të pezullojë disa dërgesa armësh në Izrael, Benjamin Netanyahu publikoi një video të një fjalimi që mbajti të dielën për të përkujtuar Holokaustin.

Në fjalimin, Netanyahu tha: “Asnjë presion nuk do ta ndalojë Izraelin të mbrohet” dhe të arrijë qëllimet e tij të luftës.

“Tetëdhjetë vjet më parë, në Holokaustin, populli hebre ishte plotësisht i pambrojtur ndaj atyre që kërkonin shkatërrimin tonë. Asnjë komb nuk erdhi të na ndihmojë”, tha ai.

“Betohem sot këtu nga Jeruzalemi në këtë Ditë të Përkujtimit të Holokaustit: Nëse Izraeli detyrohet të qëndrojë i vetëm, Izraeli do të qëndrojë i vetëm. Por ne e dimë se nuk jemi vetëm sepse njerëz të panumërt të denjë në mbarë botën mbështesin luftën tonë të drejtë”, vazhdoi Netanyahu.

OKB: 80,000 njerëz janë larguar nga Rafah që kur Izraeli ka rritur operacionet e tij

Ndërkohë, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë njoftoi sot se rreth 80,000 njerëz janë larguar nga Rafah, në Rripin jugor të Gazës, që nga 6 maji, kur Izraeli urdhëroi palestinezët që jetonin në lindje.
“Që kur forcat izraelite i rritën operacionet e tyre më 6 maj, rreth 80,000 njerëz janë larguar nga Rafah, duke kërkuar strehim diku tjetër, çmimi që këto familje po paguajnë është i padurueshëm,” i tha UNRWA në X, duke sqaruar se “asnjë vend nuk është i sigurt” në Rripin e Gazës.


Shtuar 9.05.2024 17:16

Tags: