BE i jep Serbisë paratë e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian ia ka ndarë Serbisë 51.7 milionë euro si kredi e butë, si pjesë e fazës së para-financimit të parashikuar nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, njoftoi Zyra e BE-së në Serbi.

Ajo shtoi se 59 milionë euro shtesë në para-financim, në formën e granteve dhe kredive, do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, për të përmirësuar infrastrukturën në të gjithë vendin.

Ky para-financim përfaqëson 7 për qind të mbështetjes së përgjithshme financiare të premtuar për Serbinë sipas Planit të Rritjes së BE-së.
Vendimi për pagesën e para-financimit vjen pasi Kuvendi i Serbisë e ratifikon marrëveshjen e instrumentit dhe marrëveshjen e kredisë në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes.

Zyra e BE-së theksoi se Serbisë do t’i ndahen të hollat e tjera nga Instrumenti i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor pasi t’i ketë përmbushur hapat e reformave për të cilat janë marrë vesh Komisioni Evropian dhe Qeverisë e Serbisë përmes Agjendës së Reformës dhe me kusht që të përmbushen parakushtet dhe kushtet e përgjithshme përkatëse.

“Komisioni Evropian po vlerëson zbatimin e grupit të parë të hapave të reformës që lidhen me liritë themelore dhe sundimin e ligjit, mjedisin e biznesit dhe zhvillimin e sektorit privat, si dhe tranzicionet e gjelbra dhe digjitale”, thuhet në njoftim.

Paketa e përgjithshme e Planit të Rritjes për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi – kap shumën prej 6 miliardë eurosh dhe mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027.

Nga kjo shumë, 2 miliardë euro janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Më herët, BE-ja u ka paguar para-financim prej 24.4 milionë eurosh Maqedonisë së Veriut në mars, 30 milionë euro Shqipërisë në mars dhe 12.5 milionë euro Malit të Zi në maj.

Qëllim i kësaj pakete ambicioze financiare të BE-së është që të ndihmohet rritja ekonomike në këtë rajon dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit të tij evropian. Kosova ende nuk e ka pranuar asnjë para nga para-financimi, pasi i duhet fillimisht ta ratifikojë marrëveshjen për kredi në Kuvend.

Nuk është e qartë se kur do të bëhet Kosova me Kuvend të ri, pasi partitë parlamentare nuk po arrijnë të gjejë një mënyrë për të dalë nga ngërçi politik as katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve në shkurt.

Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga kjo paketë.

Mbi 250 milionë do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme. Pjesa prej 7% që do t’i paguhej si para-financim, i bie të jetë rreth 61 milionë euro. /REL/


Shtuar 20.06.2025 19:01

Tags: ,