Amerika meriton një udhëheqës më të mirë se sa Donald Trump

“The New York Times”

Donald Trump, i akuzuar dy herë për përpjekjen e tij për të minuar integritetin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, shpalli të martën synimin e tij për të garuar sërish për president në zgjedhjet e vitit 2024. Fushata e tij e re ka filluar me të njëjtat gjëra të shëmtuara, gënjeshtra dhe kaos si ajo e fundit.

Por sot ajo paraqet rreziqe edhe më të mëdha për demokracinë amerikane. Zoti Trump dhe mbështetësit e tij nuk mund të pretendojnë më të jenë pjesëmarrës që janë korrektë dhe besimplotë në procesin demokratik. Ata e kanë mishëruar refuzimin për të pranuar rezultatet e pafavorshme zgjedhore, si një tipar përcaktues të lëvizjes së tyre politike.

Në këtë kuadër, ata janë përpjekur të vendosin ndjekësit e tyre në kryer të zyrave zgjedhore lokale, dhe kanë dëshmuar gatishmërinë për t’iu drejtuar dhunës. Donald Trump është i papërshtatshëm për të mbajtur poste publike. Si president, ai u tregua i paaftë dhe vuri gjithnjë në plan të parë interesat personale, raporton albeu.com

Ai duhet të ishte dënuar nga Senati në vitin 2019 për shpërdorim pushteti dhe në vitin 2021 për nxitjen e një rebelimi të dhunshëm. Votuesit e refuzuan atë në kutinë e votimit pas fushatës së tij të dytë, por ai ka të drejtën ligjore që të provojë sërish. Ndaj amerikanët duhet gjykojnë kandidimin e tij të tretë.

Nëse ai do të jetë ende në garë kur të hidhen votat e para në vitin 2024, ato zgjedhje do të jenë sërish një referendum për demokracinë amerikane. Sepse që të mbijetojë sistemi ynë i qeverisjes, votuesit duhet të zgjedhin në krye udhëheqësit që e pranojnë dhe i nënshtrohen sundimit të ligji.

Megjithatë, zgjedhjet e para paraprake brenda Partisë Republikanë janë ende më shumë se 1 vit larg, dhe deri atëherë ka punë për të bërë. Përpara fundit të këtij viti, Kongresi duhet të miratojë një projekt-ligj që rishikon Aktin e Numërimit të Zgjedhjeve, për t’ua bërë më të vështirë mbështetësve të Trump në Kongres, apo ndonjë kandidati tjetër presidencial, që të sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve që paraqiten nga shtetet.

Ky projektligj përfshin edhe masa të tjera mbrojtëse. Për shembull, ai i drejton në gjykata mosmarrëveshjet mbi numërimin e votave, duke ia lënë fjalën e fundit gjyqtarëve dhe jo zyrtarëve partiakë. Javës që shkoi votuesit amerikanë refuzuan secilin nga kandidatët e Turmp, që ishin mohuesit më të rrezikshëm të rezultatit të zgjedhjeve, dhe që garuan për postet kryesore shtetërore në shtetet përcaktuese – nga Mark Finchem dhe Jim Marchant tek Tudor Dixon dhe Kari Lake.

Megjithatë, është ende rreziku real i ndërhyrjes në proces nga zyrtarët shtetërore dhe lokalë dhe anëtarët e Kongresit, të cilët ende edhe sot e mohojnë se Trump i humbi zgjedhjet e vitit 2020. Po ashtu duhet të vazhdojnë procedurat ligjore kundër Trump dhe hetimet në lidhje me veprimet e tij rreth datës 6 janar 2021, ndërhyrjet në zgjedhjet në Georgia dhe keqpërdorimi i informacionit të klasifikuar në shtëpinë e tij në Florida.

Lejimi që ai të shmangë përgjegjësinë ligjore dhe të shpallë sërish veten kandidat për president do të ishte një lëvizje shumë e rrezikshme. Trump ka me vete shumë mbështetës besnikë, të cilët e konsiderojnë atë si një udhëheqës të madh, që ka sigurisht të meta, por që është efektiv në qeverisje, raporton albeu.com.

Ngjitja e tij në pushtet u ndërtua mbi idenë se ai është një fitues dhe për shumë republikanë, fitorja e tij në vitin 2016 ishte një justifikim i mjaftueshëm për ta mbështetur. Ai i dha mundësi partisë të ulte taksat dhe të merrte kontrollin e fortë të Gjykatës së Lartë, duke hapur një epokë të jurisprudencës konservatore, që këtë vit rrëzoi vendimin historik “Roe vs Wade”.

Por republikanët, madje edhe ata që ndajnë pikëpamjet e Trump për çështje si Kina, tregtia dhe emigracioni, duhet të pranojnë se është një miopi të ndiqen synime të tilla, duke e minuar integritetin e procesit politik.

Në rast se amerikanët dyshojnë tek legjitimiteti i zgjedhjeve, dhe udhëheqësit e tyre i ushqejnë dhe i ndezin këto dyshime, ata nuk do të pranojnë më legjitimitetin e vendimeve apo politikave të qeverisë federale që bien ndesh me pikëpamjet e tyre. Dhe pa këtë parim themelor të qeverisjes demokratike, bie demokracia amerikane.

Fillimisht, udhëheqja e Partisë Republikane u përpoq ta parandalonte ngritjen e tij, por gjatë 4 viteve të presidencës së Trump, ajo dështoi që t’i kërkonte llogari sa kohë që pati mundësi ta bënte këtë. Dhe që kur e la detyrën, ajo e ka lejuar rritjen në mënyrë të pakontrolluar të kultit të personalitetit, edhe pse Trump u kërkon republikanëve besnikëri personale dhe ndëshkon ata që e sfidojnë atë.

Për më tepër shumë republikanë kanë refuzuar të dënojnë edhe sjelljet e tij më të tepruara. Për të parë shkallën e dëmit që i ka shkaktuar mbështetja për Trumpin, republikanët mund të shohin ndonjë nga komunitetet dhe institucionet – shkollat, universitetet, kishat dhe forcat e armatosura, ndër të tjera – të cilave u përkasin mbështetësit e tyre.

Trumpizmi është dëshmuar një forcë e dëmshme dhe përçarëse edhe në mesin e fraksioneve më konservatore. Për shembull, të krishterët ungjillorë janë aktualisht shumë të përçarë, dhe jo sipas linjave partiake, por sepse siç shkroi Peter Wehner vitin e kaluar në “The Atlantic”, në shumë kisha, të konsiderohesh besnik tani do të thotë të deklarosh një besnikëri të verbër ndaj një ish-presidenti.

Kësisoj kandidatura e Trump duhet të shërbejë si një zile alarmi për ata që janë të gatshëm të luftojnë për thelbin e vërtetë të Partisë Republikane. Ndërsa ne si bord editorial nuk mbështesim shumë nga pozicionet e tyre politike, disa figura kryesore në këtë parti – përfshirë ish-zëvendëspresidentin Mike Pence, kongresmenen nga Wyoming Liz Cheney, guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, ish-ambasadoren e SHBA-së në OKB Nikki Haley, senatorin Tim Scott të Karolinës së Jugut, dhe guvernatorin Chris Sununu nga NewHampshire,kanë demonstruar një përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe një aftësi të spikatur për të qeverisur.

Vendi dhe Partia Republikane kanë nevojë për një garë të fortë paraprake, ku të analizohet puna dhe sjellja e Trump dhe ai të mbahet përgjegjës për gabimet nga republikanët e tjerë, dhe ku prezantohen dhe debatohen vizionet alternative. Akuza ndaj Trump është e drejtpërdrejtë.

Ai e përdor demagogjinë për të nxitur racizmin. Ai gënjen për çështje të mëdha dhe të vogla. Si president, ai vendosi shpeshherë interesat e tij personale mbi ato kombëtare. Ai premtoi të forconte amerikanët e zakonshëm, dhe ndërkohë uli taksat për të pasurit, lëvizje që e rriti ndjeshëm borxhin federal.

Ai ishte një mik i diktatorëve dhe një aleat problematik i demokracive liberale. Ai dobësoi dukshëm pozitën ushtarake të SHBA-së në botë, duke u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit. Dhe në testin e tij ndoshta më të madhin si president, ai e trajtoi pandeminë Covid-19 si një problem të marrëdhënieve me publikun, duke e minimizuar rrezikun dhe duke kundërshtuar në fillim marrjen e masave themelore të sigurisë që do të kishin shpëtuar shumë jetë njerëzish.

Nëse zgjidhet sërish, një mandat i dytë i Trumpit nuk do të kishte asnjë nga pengesat që i ishin vendosur gjatë mandatit të parë. Gjatë këtyre 4 viteve, Trump u bë më i guximshëm në kundërshtimin e tij ndaj degëve të tjera të qeverisë, shpërfilljen e ligjit dhe abuzimet flagrante të pushtetit presidencial.

Këtë herë ai do të kandidonte me mbështetjen e atyre, që janë jo vetëm të vetëdijshëm për abuzimet e tij më të këqija, por që e kanë mbështetur gjithsesi. Ai ka të ngjarë të jetë i rrethuar edhe më shumë nga servilët. Për shembull mendoni pak se kë mund të zgjedhë si Prokuror të Përgjithshëm.

Në fund të mandatit të tij të parë, Trump i imponoi dorëheqjen Prokurorit të tij të Përgjithshëm, Bill Barr – një mbështetës besnik, por që nuk ishte i gatshëm të shkelte hapur ligjin, duke u përpjekur ta vendoste një zyrtar të nivelit të mesëm të Departamentit të Drejtësisë, kualifikimi kryesor i të cilit ishte një gatishmëri e dukshme për të bërë çdo gjë që i kërkonte Trump.

Një mandat i dytë premton të jetë një turne hakmarrjeje dhe shpagimi politik. Partia Demokratike e ka detyrimin të bëjë më shumë sesa thjesht ta pengojë këtë skenar. Demokratët duhet ta marrin seriozisht sfidën për t’u ofruar amerikanëve një alternativë tërheqëse, albeu.com.

Arsyetimi përfundimtar për demokracinë dhe mbrojtjen e shtetit ligjor, është se ai është sistemi i qeverisjes që ofron jetesën më të mirë për shumicën e njerëzve. Demokratët argumentojnë me të drejtë, se vota kundër zotit Trump dhe aleatëve të tij është një kurs parimor.

Por duhet t’u tregojnë votuesve se demokracia ia vlen të mbrohet, dhe se ajo do të përmirësojë jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Në vendet ku partitë opozitare të dobëta dhe joefektive i lënë njerëzit pa shpresë apo pa alternativa të mira, është më e lehtë që hapësirën boshe ta zënë autokratët. Ndaj, duke e refuzuar ofertën e tij, amerikanët mund ta bëjnë Trumpin pjesë të historisë, dhe t’i rikthehen punës së vështirë, por të nevojshme të vetëqeverisjes.

/albeu.com


Shtuar 17.11.2022 09:08