Alex Whiting, emërohet përkohësisht kreu i Prokurorisë Speciale në Hagë, kush është prokurori franko-amerikan

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi se Alex Whiting do të zëvendësojë kryeprokurorin deritanishëm, Jack Smith, pasi ai më 18 nëntor u emërua në SHBA si prokuror i posaçëm për hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago nga ana e ish-presidentit Donald Trump dhe mbi rolin e tij në trazirat e 6 janarit 2021, në Kongresin Amerikan.

Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Whiting do të ushtrojë funksionet e Ushtruesit të Detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.

“Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt”, thuhet në njoftim.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto pretendime janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, të hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Ky raport, në fakt, i ka hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015.

Whiting është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Në ZPS është që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, kurse nga muaji gusht 2020 punon si Zëvendës Prokuror i Specializuar.

Midis viteve 2010 dhe 2013, ai ishte pjesë e Zyrës së Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ndërsa në periudhën midis viteve 2002 dhe 2007, kishte punuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë. Gjatë asaj kohe kishte qenë kryeprokurori i çështjes në procesin kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, si dhe kryeprokuror në gjykimet ndaj serbit nga Kroacia Milan Martiç dhe serbit nga Bosnia, Dragomir Milosheviç.

Pranë Gjykatës Speciale deri më tani janë ngritur disa aktakuza dhe disa procese gjyqësore tashmë janë duke u zhvilluar.

Në mesin e të akuzuarve, të cilët ende presin fillimin e gjykimit, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, edhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Ata gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./REL