Alarm për shpërthim vullkanik, në këtë shtet evakuohen mijëra familje

Qeveria kolumbiane i ka kërkuar “Mbrojtjes Civile ​​të evakuoj 2500 familje që janë në një situatë me rrezik të lartë” për shkak të një shpërthimi të mundshëm të vullkanit Nevado del Ruiz në Ande.

Presidenti i vendit, Gustavo Petro, e bëri të ditur në Twitter, duke theksuar se “qeveria po merret personalisht me problemin dhe po koordinon të gjitha burimet”.

Qeveria ka krijuar një Njësi Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave me një komandë të përbashkët që po ndjek aktivitetin e vullkanit.

Nga ana e tij, Shërbimi Gjeologjik Kolumbian konfirmoi statusin e alarmit portokalli, duke specifikuar se ai do të mbetet në fuqi në javët në vijim pasi është e pamundur të parashikohet me siguri evolucioni i aktivitetit të vullkanit.

Sipas drejtorit të komandës së përbashkët kundër krizës, Luis Fernando Velasco, në rast të një shpërthimi “njerëzit që jetojnë në një rreze prej rreth 15 kilometra nga vullkani janë më të rrezikuarit”.

Nevado del Ruiz, ndodhet 220 kilometra në perëndim të kryeqytetit Bogotà, lartësia e tij është 5,321 metra, dhe është vullkani më i madh në vend.


Shtuar 7.04.2023 17:52