“Bosi është Demaçi”, zbardhen përgjimet e Prokurorisë Speciale! Çfarë kanë folur Thaçi, Veseli dhe Selimi me vizitorët

Bazuar në transkriptet nga përgjimet, të tre të akuzuarit kanë keqpërdorur vizitat që u janë lejuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre, mes të cilave edhe për ta prezantuar Adem Demaçin si njeriun kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykatës Speciale i është kërkuar që t’ua ndalojë tre të akuzuarve edhe vizitat e edhe komunikimet me jashtë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka publikuar të enjten kërkesën adresuar Gjykatës Speciale për t’ua kufizuar ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarit Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi vizitat në Qendrën e Paraburgimit, si dhe komunikimet me jashtë, por edhe me njëri-tjetrin.

Sipas organit të akuzës, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë. Nga ZPS-ja është pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues, duke zbuluar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur dhe kanë shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale te personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit. Hetimet e Prokurorisë së Specializuar kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procesin, duke përfshirë dhënien e udhëzimeve se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe planifikimi i qasjeve ndaj dëshmitarëve”, thuhet në kërkesë.

Bashkë me kërkesën për pezullimin e vizitave për ta, Prokuroria ka publikuar edhe transkripte që, sipas saj, janë nga bisedat me të tjerët që kanë realizuar Thaçi, Veseli e Selimi.

“Në bazë të autorizimit gjyqësor nga gjyqtari i vetëm, PSP-ja ka regjistruar në mënyrë të fshehtë vizitat e tre të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Bazuar në të, bashkëbiseduesve u janë dhënë instruksione se çfarë duhet të thonë dëshmitarët para gjykatës, mes të cilave edhe të tilla për ta paraqitur Adem Demaçin si njeriun kryesor në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ai duhet të përgjigjet shkurt… ‘Bosi ka qenë Demaçi’, këtë duhet ta thotë qartë. Thuaji: ‘Po vjen këtu, dil nga ky vend hero. Mos dil i turpëruar’”, thuhet në transkriptin e publikuar nga biseda e ish-presidentit Thaçi.

Gjatë seancave të kaluara, të paktën dy dëshmitarë kanë thënë që ata kanë pasur respekt të veçantë për Demaçin dhe se ai ka qenë një person me autoritet dhe të cilit i kanë besuar.

Prokuroria ka kërkuar që Thaçi, Veseli e Selimi të mund të komunikojnë vetëm me anëtarë të ngushtë të familjeve të tyre dhe të gjitha këto komunikime të monitorohen nga dikush që e flet gjuhën shqipe dhe që të mos kenë vizitorë të përbashkët.

“Masat e kërkuara janë të nevojshme për të adresuar rrezikun konkret për: (a) përpjekje të paligjshme për të ndërhyrë te dëshmitarët dhe për të penguar dëshminë e tyre; (b) shpërndarjen nga Qendra e Paraburgimit të informacionit të dëshmitarëve të mbrojtur, duke përfshirë dëshmitë konfidenciale të dhëna për këtë rast; dhe (c) kërcënime të mëtejshme ndaj integritetit të procedurës”, është thënë në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka pretenduar se Thaçi dhe Veseli në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë udhëzuar një person që i pati vizituar ata në Hagë që ta caktojë dikë për t’ia përcjellë një mesazh familjes së një personi, emri i të cilit nuk është bërë publik.

“Njëri nga dëshmitarët në këtë çështje, identiteti i të cili i ishte zbuluar të akuzuarit më 30 janar 2023, raportoi se në mars 2023, kishte qenë i kontaktuar nga dikush, vetëm disa javë para se ai të nisë dëshminë. Kur ishte kontaktuar nga Individi 1, një personit (i redaktuar) i është thënë që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i kanë dhënë udhëzim të drejtpërdrejtë një personi, i cili i ka vizituar ata në Hagë, që të caktojë një person që të çojë një mesazh te familja e një personi (i redaktuar)”, thuhet në njërën nga pikat e kërkesës.

Sipas Prokurorisë, tre të akuzuarit, nëpërmjet vizitorëve kanë kërkuar që të mos dëshmohet ose të zbuten faktet ndaj tyre, nën justifikimin se kjo është “për të mirën e vendit”. Në kërkesë është theksuar po ashtu se një dëshmitari tjetër i është kërkuar që t’i tërheqë deklaratat e dhëna.

Në këtë dosje është theksuar se, gjatë vizitave, të arrestuarit veçse dyshonin që mund të ishin duke u përgjuar dhe shpesh kanë pëshpëritur, kanë lëshuar muzikë gjersa flisnin me vizitorët dhe janë përfshirë në biseda shumë palë njëkohësisht.

“Ishte praktikë që të ndaluarit, e paplanifikuar, të jenë prezent në vizita për të cilat nuk ishin të autorizuar. Veseli ka qenë prezent në disa vizita që u janë bërë Thaçit dhe Selimit gjatë korrikut dhe gushtit 2023”, thuhet tutje në dosje.

Në transkripet e publikuara është paraqitur një pjesë e bisedës së pretenduar të Selimit me një vizitor, gjatë së cilës tregohet se nga cili vend është një nga dëshmitarët.

Një komunikim që i përshkruhet Thaçit përmban instruksione se si të përgjigjet një dëshmitar në pyetje. Ai udhëzohet që t’i përdorë fjalët: “Nuk e di; nuk më kujtohet” ose “Çfarë shërbimi inteligjent mor burrë!”. Prokuroria ka pretenduar se Thaçi ka komunikuar edhe me një person, i cili i ka thënë se është takuar me së paku dy dëshmitarë para se ata të dalin para gjykatës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pretenduar që këto shqetësime janë të bazuara mirë, që tre të akuzuarit janë duke u përfshirë aktivisht në sjellje të jashtëligjshme dhe që, sipas saj, është përcaktuese për sigurinë dhe mirëqenien e dëshmitarëve.

ZPS-ja më 30 shtator të 2022-tës e ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Jakup Krasniqit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, të cilat i ngarkojnë ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Prokuroria pati dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, në të cilën pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Më 9 nëntor të 2020-s, në paraqitjet e tyre të para para Dhomave të Specializuara, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020./KOHA


Shtuar 23.11.2023 20:01