Ndërmarrjet e ujësjellësit janë kthyer në një gangrenë për financat e kompanisë së shpërndarjes së energjisë, OSHEE.
Ministria e Financave raportoi se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë rreth 27.8 miliardë lekë (264 mln euro) deri në fund të tremujorit të parë 2023, nga të cilat, rreth 15 miliard lek janë detyrime të faturuara dhe 12.8 miliard lekë janë detyrime për kamatëvonesa.
Pasi e cilësoi problematike situatën Ministria e Financave tha se treguesit kryesorë të performancës për T1 -2023 për ndërmarrjet Ujësjellës Kanalizimeve që u morën në analizë, tregojnë një vijimësi të gjendjes ekzistuese financiare dhe vështirësi në pagimin e detyrimeve dhe mbledhjen e të ardhurave korente dhe të prapambetura, duke sinjalizuar probleme potenciale të likuiditetit në periudhën afatshkurtër.
Siç shihet nga të dhënat në tabelën e mëposhtme Ujësjellësi i Durrësit ka pjesën më të madhe të detyrimeve ndaj OSHE-së me rreth 4,4 miliardë lekë me një vlerë rreth 40 milionë euro. Ndërmarrja e Ujësjellësit të Vlorës me 1,5 miliardë lekë, ndërmarrja e ujësjellësit Kurbin me 1 miliardë lekë, e Patosit, me 870 milionë lekë dhe e Fierit me 810 milionë lekë. Detyrimet e ndërmarrjeve të tjera janë më të ulëta në vlera.
Vitet e fundit aftësia paguese e enteve buxhetore dhe jo buxhetore ndaj faturave të energjisë ka rënë, teksa familjarët po tregohen më korrektë në pagesa pasi detyrimet e tyre ndaj OSHE-së kanë rënë në mënyrë të qëndrueshme.
Në vitin 2022 startoi procesi i reformimit dhe riorganizimit të Sektorit të Ujit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të “Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve 2020-2030”. Synimi është rigrupimi i 58 ndërmarrjeve UK aktuale, përmes rigrupimit të tyre në 15 shoqëri SKP-UK rajonale, me qëllim final menaxhimin optimal dhe rritjen e performancës së tyre financiare.
Ministria e Financave sqaron se deri në mars 2023 janë arritur marrëveshjet e transferimit të aktivitetit të shërbimeve ndërmjet 50 bashkive dhe si rrjedhojë janë krijuar 12 shoqëri UK rajonale nga 15 të parashikuara sipas reformës.
Shoqëritë e reja rajonale të krijuara janë: “SKP UK Korçë, SKP UK Pogradec, SKP UK Durrës, SKP UK Lezhë, SKP UK Dibër, SKP UK Kukës, SKP UK Berat, SKP UK Elbasan, SKP UK Gjirokastër, SKP UK Fier, SKP UK Lushnje, dhe SKP UK Sarandë.
Mbeten 11 bashki të cilat ende nuk kanë firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit për krijimin e 3 shoqërive rajonale përkatësisht: “SKP UK Shkodër, SKP UK Tiranë dhe SKP UK Vlorë”.
Ministria e Financave vë në dukje se problematika më e rëndësishme për tu zgjidhur mbetet stoku i detyrimeve të akumuluara nga ndërmarrjet UK Sh.a ndaj sektorit të energjisë./monitor/