Borrell: BE po planifikon stërvitje të forcave ukrainase

BE do të diskutojë nisjen e mundshme të një operacioni të madh trajnimi për forcat ukrainase në vendet e afërta, tha të hënën (22 gusht) kryediplomati i bllokut Josep Borrell.

Propozimi është vendosur të “diskutohet politikisht” javën e ardhshme kur ministrat e mbrojtjes të BE-së të mblidhen për një takim jozyrtar në Pragë, u tha Borrell gazetarëve në margjinat e një forumi në Santander, Spanjë.

“Duket e arsyeshme që një luftë që zgjat dhe duket se do të zgjasë kërkon përpjekje jo vetëm për sa i përket furnizimeve me material, por edhe trajnim dhe ndihmë për organizimin e ushtrisë”, tha Borrell.

Ai, megjithatë, nuk hyri në detaje se çfarë mund të sjellë misioni në praktikë.
“Shpresoj se do të miratohet”, tha ai, duke shtuar se “sigurisht, do të ishte një mision i madh”.

I pyetur se ku do të kryhet trajnimi i forcave ukrainase, Borrell tha se “nuk do të jetë në Ukrainë, por në vendet fqinje që tashmë kanë misione stërvitore”, duke përmendur Poloninë, Republikën Çeke, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

“Kur ne ofrojmë armë, këto janë mjaft të sofistikuara dhe duhet të përdoren – dhe për t’u përdorur, ato kërkojnë një trajnim mjaft të rëndësishëm,” tha ai, duke shtuar: “Por ne nuk do ta bëjmë këtë në territorin ukrainas”.

Qysh në vjeshtën e kaluar, BE-ja u raportua se po shqyrtonte një program trajnimi të pavarur të quajtur Misioni Këshillues dhe Trajnues Ushtarak i BE-së në Ukrainë (EUATM).

Sipas burimeve të BE-së, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes ukrainas kërkuan programin e trajnimit në një letër drejtuar Borrelit verën e kaluar dhe shërbimi diplomatik i BE-së kishte hartuar disa opsione./albeu.com