Bordi bën skandal, nafta ulet në bursa, nuk çon ndërmend uljen në Shqipëri

Bordi i Transparencës është mbledhur sot, dhe pavarësisht uljes së çmimit të naftës në bursa, ka vendosur ta mbajë me çmimin e lartë që ka, që është 240 lekë/litër. Ndërkohë ka ulur benzinën, nga 233 lekë për litër në 221 lekë/litër.

“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 240 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 228 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 221 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 209 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litër edhe i shitjes me shumicë 69 lekë /litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 14 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e Bordit.

Ndërkohë, sipas “S&P Global Platts”, treguesi Platss, që është referenca me të cilën punojnë importuesit shqiptarë dhe që merret si bazë nga Bordi i transparencës për llogaritjen e çmimit, ishte në 3 korrik 1,181 dollarë për ton. Ndonëse në rritje të lehtë me një ditë më parë, në raport me fundin e qershorit treguesi është ulur me rreth 100 dollarë për ton, apo me 8.3%.

Ndërsa në tregun vendas, çmimi me pakicë i naftës, i cili që prej fillimit të marsit caktohet nga Bordi i Transparencës ka mbetur në nivelin e 240 lekë për litër, që nga data 8 korrik.

Sipas grafikut krahasues të çmimeve të naftës në bursa dhe në tregun vendas (Nafta në bursa dhe tregun vendas, Shkurt 2022- 13 korrik 2022), herën e fundit që nafta ishte në këto nivele në bursat ndërkombëtare, në datën 26 maj, në tregun vendas ishte 230 lekë për litër, ose 10 lekë më pak se aktualisht.

Ndërsa në raport me nivelet e njëjta, në mes të muajit prill, nafta sot është rreth 20 lekë më e shtrenjtë./albeu.com