Boki 13 e Janeva në të njëjtin burg (VIDEO)

Dikur njëri shoumen i njohur, e tjetra prokurore speciale, tani të dy gjenden prapa grilave në burgun e Idrizovës. Janeva e dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e Bojan Jovanovski, i njohur me pseudonimin Boki 13 për zhvatje dhe larje parash.

Kur filloi hetimi për “Reket” dhe dyshimi se Janeva është e përzier në këtë lëndë, ajo e mohoi, duke theksuar se emri i saj është keqpërdorur jo vetëm nga Boki 13, por edhe nga disa persona tjerë.

“Me përgjegjësi të plotë pohoj se as me vetëdije, e as pa vetëdije, as me veprim, apo pa veprim, nuk e kam keqpërdorur pozitën time të cilën e ushtroj për momentin. Publikisht i inkurajoj organet gjyqësore, që deri në fund t’i zbardhin të gjitha rrethanat e rastit në fjalë. Po. Është e saktë se unë, si shumë persona të tjerë të cilët aktualisht janë në funksione të ndryshme shtetërore, njihemi me personin, Bojan Jovanovski”, deklaroi Janeva.

Urdhrin që të dy të akuzuarit në rastin “Reket” të dërgohen në burg për vuajtje të dënimit e dha Gjykata e Apelit. Apeli vërtetoi dënimet e Gjykatës Penale, ndërsa hodhi poshtë ankesat e palës mbrojtëse.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Boki 13 duke shfrytëzuar afërsinë me ish-prokuroren speciale Katica Janeva, ka kërkuar para nga Orce Kamçev dhe e ka bindur se Janeva do t’i plotësojë kërkesat e tij për lehtësim të statusit të tij si i dyshuar dhe i paraburgosur në hetimin e PPS-së për lëndën “Perandoria”.

Janeva duke mos e ditur se Kamçev po e xhiron bisedën, përmes telefonit e siguron se gjithçka do të jetë “Ok”. Janeva për lehtësimin e masave ndaj Kamçevit, ka marrë përfitim në pronë: mobilje në vlerë shumë të lartë si dhe para në vlerë prej 50.000 eurove. Për këtë Janeva do të vuaj dënimin prej 7 vitesh burg.

Boki 13 do të vuaj dënim prej 9 vitesh burg duke llogaritur edhe qëndrimin në paraburgim në burgun hetues të Shutkës. Kundër tij zhvillohet edhe rasti “Lidhja ndërkombëtare” për mashtrim përmes organizatës së tij humanitare.


Shtuar 23.07.2021 19:59