Blushi: Bashkia Roskovec tentativë për të ndërtuar termocentral në zonë bujqësore

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar disa dokumente, ku shprehet se Bashkia e Roskovecit, po tenton të ndërtojë një termocentral në një zonë bujqësore.

Blushi shpehet se ky projekt është kriminal dhe i pabesë, baraz me “vdekje” për banorët e zonës.

Sipas Blushit, qytetarët e nderuar të Roskovecit meritojnë urgjentisht transparencë.

Postimi i Tedi Blushit:

Kriminale dhe e pabesë (siç di vetëm “Rilindja”) tentativa e Bashkisë së Roskovecit për t’i hapur rrugën ndërtimit të një termocentrali në zonën bujqësore të fshatit Suk dhe rrethinave të tij, duke u çuar “vdekjen” te dera e shtëpisë, një komuniteti të mrekullueshëm dhe punëtor, që aq shumë ka vuajtur nga ndotja dramatike e puseve të naftës.

Zona e Roskovecit është një zonë bujqësore e suksesshme, e mbjellë deri në 700 hektar me sera, që duhet të mbështetet fuqimisht me subvencione dhe jo të asgjësohet përfundimisht me të tilla projekte shkatërrimtare, korruptive dhe me pasoja tepër të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, por edhe për pronat e tyre.

Qytetarët e nderuar të Roskovecit meritojnë urgjentisht transparencë:

Pse nuk janë vënë në dijeni të projektit dhe pse nuk janë thirrur kurrë në dëgjesa publike?

Kush është investitori privat dhe kush përfiton financiarisht nga ky projekt, qartazi në dëm të banorëve, dhe sidomos të fermerëve?

Pse TEC-i do ndërtohet në një tokë të punueshme, që ligji e ndalon?

A është ndërtimi i TEC-it të Roskovecit një skemë kriminale e ngjashme me inceneratorët?

Kundërshtojmë me forcë këtë projekt dhe mbështetim plotësisht shqetësimin e drejtë të komunitetit të dashur të Roskovecit.