Blinken rikthehet në Tel Aviv, frika më e madhe e amerikanëve dhe fati që pret palestinezët nëse dalin nga Gaza

Shefi i diplomacisë amerikane Anthony Blinken do të rikthehet në Tel Aviv për diskutime të mëtejshme me qeverinë e Natanyahut, e cila është mbërthyer në një konflikt me terroristët e Hamasit, i cili rrezikon të përhapet në rajon.

Kjo është edhe frika më e madhe e amerikanëve sipas BBC, gjë që do të hidhte në erë përpjekjet disa vjeçare për të arritur një marrëveshje finale mes Izraelit dhe vendeve arabe, gjë që do t’i shërbente drejtpërdrejt Iranit dhe Rusisë.

Ndërkohë, BBC raporton se mijëra njerëz janë mbledhur në pikën e kalimit kufitar të Rafah me Egjiptin dhe presin të kalojnë, ndërsa shumë në BE dhe Egjipt i tremben faktit se ata nuk do të mund të kthehen më në Gaza nga Izraeli nëse lejohet të dalin prej aty.

Të vetmit të mbijetuar të familjeve të shfarosura

Pothuajse gjysma e të plagosurve që vijnë në spital në Gaza janë fëmijë, disa prej të cilëve janë të mbijetuarit e vetëm të familjeve të tyre, ka thënë një mjek për programin Today të BBC-së.

 

Ghassan Abu-Sittah, një kirurg që normalisht punon në Britaninë e Madhe, mbërriti në Gaza të hënën e kaluar dhe ka mbetur në zonën veriore, duke punuar në një spital atje.

Të dielën ai tha se dy vajza, katër dhe pesë vjeç u sollën me djegie dhe lëndime në kokë.

“Ishin të vetmit që u nxorrën nga shtëpia e familjes si të mbijetuar. Çdo ditë kemi raste si këto,” tha Abu-Sittah, duke shpjeguar se shumica e njerëzve po qëndronin në zonën e evakuimit.

“Të bëhesh refugjat është një pjesë e identitetit të palestinezëve, njerëzit thjesht nuk duan ta kalojnë këtë përsëri,” tha ai, duke shtuar se zonat që konsideroheshin të sigurta u bombarduan po aq egërsisht sa të tjerat.

Lindja e Mesme në prag të “shpërthimit”, dy aeroplanmbajtëse në Mesdhe: Çfarë presin amerikanët nga Izraeli

Nga Jeremy Bowen-BBC

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërrin në Tel Aviv, ka një ndjenjë pritjeje, ose ngrirjeje të veprimeve/planeve ushtarake, për aq kohë sa ai do të jetë këtu.

Ai është jashtëzakonisht i shqetësuar për përshkallëzimin rajonal të kësaj lufte dhe veçanërisht shumë i shqetësuar për përfshirjen e Hezbollahut – aleatit të madh të Iranit.

Nisur nga kjo. Amerika po lëviz një sasi fenomenale të forcës në Mesdhe – dy aeroplanmbajtëse bashkë me forcën mbështetëse të tyre.

Ajo që është gjithashtu interesante – dhe unë nuk e kam parë këtë më parë – është megjithëse Izraeli gjithmonë merr mbështetje nga amerikanët për t’u mbrojtur, këtë herë kjo nuk është një çek i bardhë.

Tashmë ka mesazhe të përsëritura nga amerikanët se “Izraeli kësaj radhe duhet t’i bëjë gjërat ashtu siç duhet”, siç thotë Blinken.

Kjo është për shkak se ata janë të shqetësuar se një rritje e madhe e numrit të civilëve të vrarë nga palestinezët do të rrisë ndjeshëm temperaturën në rajon.

Kjo ndjenjë e pasigurisë, rrezikut dhe paqëndrueshmërisë këtu në Lindjen e Mesme është veçanërisht e dukshme tani.


Shtuar 16.10.2023 12:45