Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën, më 13 prill, se blerja e sistemit raketor anti-ajror të Kinës FK-3 është “legjitime, plotësisht e rregullt dhe transparente”.
Përmes kësaj deklarate, Vuçiç ka konfirmuar për herë të parë se avionët transportues kinezë i kanë dorëzuar Serbisë më 9 prill pjesë të sistemit të mbrojtjes tokë-ajër FK-3.
Dorëzimi i armëve kineze, për të cilin Serbia ra dakord me Kinën në vitin 2019, ndodhi në kohën e pushtimit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve të vendeve evropiane se armët shtesë në Ballkanin Perëndimor gjatë luftës, mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjatë një video-mesazhi të publikuar në ueb-faqen e Presidencës serbe, Vuçiç ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin malazez, Millo Gjukanoviq – të cilët kritikuan blerjen e armëve nga Kina – për një “fushatë gënjeshtrash” kundër Beogradit dhe përhapjen e “urrejtjes së zhveshur ndaj serbëve dhe Serbisë”.
Vuçiçi ka thënë se Gjukanoviqi dhe Kurti e përdorën blerjen e armëve për t’i thënë botës se “Serbia është mike kineze dhe ruse dhe se kërcënon dikë, edhe pse është në një mjedis të NATO-s”.
“Ata nuk dinë të thonë se si i rrezikojmë me armë mbrojtëse, sepse është një sistem që shërben për t’u mbrojtur nga raketat dhe avionët që do të cenonin hapësirën ajrore të Serbisë. Si po e rrezikojmë Prishtinën dhe Podgoricën? Çfarë forcash ajrore kanë ata? Më mirë po të kishim blerë sprej autan (kundër insekteve)”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka kritikuar akuzat e Kurtit se Serbia i bleu ato armë sepse ishte në panik se do të mbete e vetmuar, dhe po ashtu i ka ofenduar liderët e vendeve fqinje.
“Serbia, si një vend neutral ushtarak, është e vetme në rajonin e gjerë. Në cirk, ju keni parë luanë, elefantë, tigra, por nuk e keni parë kurrë një ujk të vetmuar. Unë më me dëshirë do të isha gjithmonë një ujk i vetmuar sesa një hienë e paturpshme dhe e pamoralshme… Është edhe më keq të jesh mizë që sillet rreth hienës dhe pret t’i sillet një pre, siç janë Kurti dhe Gjukanoviq”, ka thënë Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 12 prill se Qeveria është e shqetësuar që Serbia ka blerë armë nga Kina, por jo e frikësuar.
“Serbia më duket se ndodhet në një lloj paniku kur po e vëren që nuk mund të qëndrojë në tri-katër ulëse njëkohësisht. Ajo po përpiqet që të forcohet për vete, sepse ndoshta mund të ngelet e vetmuar. Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe për Republikën e Kosovës, mirëpo në anën tjetër, është shprehje e frikës së tyre se mund të ngelen të vetmuar”, tha Kurti në një konferencë për media.
Presidenti malazez, Millo Gjukovanoviq, shpreh gjithashtu shqetësim për prokurimin e armëve kineze në Serbi.
“Kjo është një tendencë e vazhdueshme e armatimit të Serbisë me armë nga vendet që po shfaqen tani, jo vetëm si konkurrentë, por armiq të dukshëm të Evropës dhe NATO-s”, tha Gjukanoviq në Podgoricë më 12 prill, pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni, kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për blerjet e armëve nga ana e Serbisë në Rusi dhe Kinë, sepse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, pritet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian./REL