Blerina Bala kryebashkiake e Himarës, reagon Rama: Shumica e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit

Në një postim në rrjete sociale, kryeministri i vendit Edi  Rama, ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Blerina Bala, si kryetare e komanduar në krye të bashkisë së Himarës.

Bala do të mbajë detyrën deri në zgjedhjet e ardhshme.

Rama shkroi se votimi i sotëm ishte një zhvillim pozitiv. Në lidhje me tensionet në sallën e mbledhjeve, Rama e quajti si përpjekje e dështuar e një grushti individësh, të nxitur për ta penguar këtë zhvillim.

Kryeministri shtoi gjithashtu, se përçarja dhe amplifikimi absurd i një sherri primitiv ushqehet për interesa që nuk kanë lidhje me interesat e Himarës.

Rama:Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore. Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat e Himarës”, shkruan ai.


Shtuar 29.03.2024 13:32