Blendi Gonxhe: Për të tërhequr investitorë seriozë, nevojitet treg i standardizuar

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, u shpreh sot se nevojitet një treg i standardizuar për të tërhequr investitorë seriozë.

Gonxhe mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE), ku me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorit, u organizua takimi ndërgjegjësues me temë: “Sfidat e konsumatorëve në të ardhmen e afërt dhe të largët”.

Sipas ministrit, mbrojtja e konsumatorit në Shqipëri nuk është vetëm çështje kujdesi ndaj investimeve dhe ekonomisë në vetvete si term abstrakt.

“Por është një kujdes që duhet të lidhet shumë me standardet, certifikimet, me kontrollin, inspektimet e të gjitha aspektet. Në një vend ku tregu është i pastandardizuar, mund të kesh investimet më të mira, ndihmën më të madhe, apo kredi me inetersat më të ulëta, por kur nuk ke standarde nuk ke si tërheq investitorë seriozë, që nuk mund të shesin produkte në një treg të pastandardizuar. Ndaj duhet të ecim krah për krah me parimet që BE prezanton”, tha ai.

Gonxhe tërhoqi vëmendjen për faktin e mungesës së kapaciteteve, të cilat sipas tij, gjenerohen nga administrata shtetërore dhe përthithen më pas nga institucionet e huaja, për shkak të kushteve të pagesës që ofrojnë.

“Kemi shumë ligje të bukura, akte nënligjore që janë sot në nivele të mjaftueshme në letër por të pazbatuara në realitet. Ne çalojmë rëndë në zbatim. Dua të zgjeroj autokritikën time në emër të qeverisë dhe zotimin tim që do të bëhet shumë më tepër që të krijojmë një tjetër lloj qasjeje. Kemi reflektuar, lexuar dhe po vëmë në pikëpyetje deri edhe veten tonë për atë çfarë është më e mira që duhet bërë”, tha Gonxhja.

Sipas tij, “duhet të bëhet një ballafaqim për të nxjerrë në pah mangësitë sa i takon instituteve, laboratorëve që nuk ekzistojnë, kushteve mizerabël të punës”.

“Një pjesë e mirë e punonjësve të mi punojnë në kushte nëntokësore. Të gjitha këto janë para nesh. Shpesh bëjmë fjalime të mëdha dhe shumë të bukura, por herë pas here, ose për arsye krenarie, ose pamundësie ose të një qasje që duhet përmirësuar, ne harrojmë kushtet bazë të një minimumi cilësor të të punuarit për këto çështje që po flasim”, tha ai.

Ndaj, Gonxhe u shpreh se “ne do fillojmë nga vetja”.

Sipas tij, “ministria e Ekonomisë është nën rikonstruksion, portofoli i Ekonomisë po ashtu. Më vjen keq që e theksoj, por ne kemi nevojë urgjente për të parë nga vetja dhe për të korrigjuar veten në struktura, njerëz, kapacitete, që tek ne nuk ekzistojnë. Nuk do të bëjmë më sikur nuk shikojmë dhe sikur nuk kuptojmë se si mund t’i zgjidhim ato, apo që pranojmë se jemi inferior dhe në Shqipëri ka dy palë: një palë jemi ne me pak kapacitete e pak kushte që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë dhe një palë tjetër është pala që i di të gjitha. Ne do të jemi bashkë në këtë sfidë edhe me tregun, edhe me biznesin, edhe me organizatat e huaja”, tha ai.

Gonxhe theksoi se ka nevojë për kushte dinjitoze, për administratën shqiptare dhe të gjithë aktorët e palët për sa i përket qeverisë.