Bjellorusia nis gjyqin në mungesë ndaj lideres së opozitës

Media shtetërore bjelloruse ka raportuar se të martën ka nisur gjyqi në mungesë kundër lideres së opozitës në Bjellorusi, Svetlana Tikhanovskaya.

Ajo ka pretenduar fitore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, dhe tani përballet me akuza për tradhti, për “komplot për të marrë pushtetin” dhe për udhëheqjen e një organizate terroriste.

Aktivistja 40-vjeçare, e cila është detyruar të largohet nga Bjellorusia pas protestave që kanë pasuar zgjedhjet, është kthyer në imazh të forcave demokratike bjelloruse.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, Tikhanovskaya e ka përshkruar gjyqin si “farsë” dhe ka thënë se nuk i është dhënë qasje në dokumentet e gjykatës para nisjes së procedurave.

“Nuk e di sa gjatë do të zgjasë ky gjyq, sa ditë, mirëpo jam e sigurt se do të më dënojnë për shumë kohë, shumë vjet në burg”, ka thënë ajo të hënën.

Aleatët politikë të Tikhanovskayas: Maria Moroz, Pavel Latushko, Olga Kovalkova dhe Sergei Dylevsky janë duke u gjykuar po ashtu në mungesë.

Lukashenka, në anën tjetër, udhëheq Bjellorusinë për më shumë se 26 vjet.

Fitorja e pretenduar e tij në zgjedhjet e vitit 2020 pati nxitur protestat më të mëdha që ka parë ndonjëherë Bjellorusia prej pavarësisë së fituar nga ish-Bashkimi Sovjetik më 1991.

Shumë shtete perëndimore kanë sanksionuar liderë shtetërorë bjellorusë për menaxhimin e protestave të asaj kohe. /REL