Bisedimet Kosovë–Serbi dhe kushtet për integrimet evropiane

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka përparim në procesin e zbatimit të disa marrëveshjeve të arritura në bisedime, duke nënvizuar se pa normalizimin e marrëdhënieve asnjëra palë nuk mund të përparojë në rrugën evropiane.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati mbi zgjerimin e bllokut evropian të organizatës joqeveritare “Miqtë e Evropës“, në të cilin u tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është me rëndësi strategjike.

“Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi përparim kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha zoti Lajçak, duke iu referuar marrëveshjes së arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe pajtimit me 18 mars në Ohër për rrugët e zbatimit të saj.

Javën që vjen Bashkimi Evropian pritet të debatojë politikat e zgjerimit dhe në kuadër të diskutimeve pritet miratimi i përfundimeve që është paralajmëruar se do të përfshijnë kërkesën që Komisioni Evropian ta bëjë marrëveshjen e Ohrit pjesë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllok, përkatësisht të kapitullit 35 të negociatave.

Përfundimet pritet të miratohen nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në një takim më 12 dhjetor dhe më pas nga Këshilli Evropian, në një takim të udhëheqësve që do të zhvillojë punimet me 14 dhe 15 dhjetor.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim.

Marrëveshja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Çfarë përmban propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Palët kontraktuese;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshme se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi e tërësisë tokësore dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e qytetarëve, janë pajtuar që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në rrafshin ndërkombëtar apo të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa marrëveshja aktuale paraqet një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjeve, marrëdhënieve në drejtësi dhe të zbatim të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Hollësitë do të jenë pjesë e marrëveshjeve shtesë në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një paketë të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjeve, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera thelbësore.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të arritura në bisedime, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Por, presidenti serb Vuçiç, ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova “të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara”.

“Jam takuar me francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët, për këtë gjë. Të gjithë e dinë këtë”, tha presidenti serb në një intervistë për revistën e përjashtme serbe, NIN. Sipas tij, nëse të gjitha pikat e marrëveshjes përfshihen në përfundimet e bllokut “dyert e BE-së për Serbinë do të mbyllen”.

Që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi në vitin 2011, perëndimi e ka theksuar se ky është kusht për integrimet evropiane.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga BE-ja si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për këtë arsye, ne përsërisim thirrjet tona për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të marrëveshjes së normalizimit dhe presim që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it në të cilën ritheksohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Serbinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Çfarë përmban udhërrëfyesi për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

– Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.

– Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, shpejt dhe në mirëbesim.

– Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, që do të pasqyrojnë detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi. Agjenda e Grupit të Posaçëm të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë detyrimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

– Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

– Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një shkallë të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.

– Palët bien dakord për krijimin e një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

– Për të zbatuar nenin 9-të, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

– Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

– Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.

– Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

– Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

– Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i detyrimeve nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të deritashëm, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Por marrëveshja e Ohrit nuk i uli tensionet ndërmjet palëve, të cilat u përkeqësuan në fund të shtatorit pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

Në projektin e përfundimeve të takimit të vendeve anëtare të BE-së i kërkohet Serbisë vënia para drejtësisë e autorëve të sulmit të 24 shtatorit, përgjegjësinë për të cilin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, e ka mohuar deri tani çdo lidhje me sulmin.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, tha të enjten se emri i Milan Radoiçiçit është në listën e të kërkuarve nga Policia Ndërkombëtare (Interpol). Kërkesa sipas tij është bërë nëpërmjet Misionit të Kombeve të Bashkuara, meqë Kosova nuk është pjesë e Interpolit për shkak të kundërshtimit të pavarësisë së saj nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Ngjarjet e 24 shtatorit u pasuan nga shtimi i pranisë së forcave paqeruajtëse në Kosovës, por edhe një shtim përpjekjesh perëndimore për t’i nxitur palët të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan, për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Udhëheqësit më të lartë evropianë i kërkuan më 26 tetor Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Ata u thanë të dyja palëve se në mungesë të përparimit për normalizimin e marrëdhënieve, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në radhë të parë integrimet evropiane.

Serbia i ka shpallur këto integrime synim të saj, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së pretendimeve serbe ndaj Kosovës nga ana e Kremlinit.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha të enjten ne Bruksel se Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim është reale, ndërsa nënvizoi se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën e saj për Ukrainën.

“Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi“, tha ambasadori Hill, pa dhënë më shumë hollësi për çfarë ndihme bëhet fjalë./VOA/


Shtuar 7.12.2023 19:46