Bilanc lufte në Nigeri, 154 persona të vrarë nga një sulm me armë

Të paktën 154 persona e kanë humbur jetën dhe shumë shtëpi u dogjën në një sulm në shtetin verior Plateau të Nigerisë, të kryer nga banditët e lidhur me organizatën terroriste Boko Haram, bëjnë të ditur zyrtarët.

“Persona të armatosur me motoçikleta hapën zjarr pa dallim mbi dyqanet dhe shtëpitë në rajonin Kanem tha Ya’u Abubakar, një këshilltar i lartë i qeverisë lokale.

Duke konfirmuar viktimat, ai tha se rreth 4.800 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre nga frika.

Presidenti Muhammadu Buhari dënoi sulmin në një deklaratë duke thënë se autorët nuk duhet “të kursehen dhe të falen”.

Ministri i Informacionit, Lai Mohammed në një deklaratë tha se bandat e armatosura në grup me Boko Haram-in ishin përgjegjëse për sulmet.

“Ajo që po ndodh tani është se ka një lloj shtrëngimi duarsh jo të shenjtë midis banditëve dhe kryengritësve të Boko Haram-it”, tha Mohammed.

Sadiya Umar Farouq, ministre e çështjeve humanitare tha se ndihma të tilla si ushqime, ujë dhe batanije u janë dorëzuar njerëzve të zhvendosur.

Boko Haram nisi një kryengritje të përgjakshme në verilindje të Nigerisë në vitin 2009 përpara se të zgjerohej në Niger, Çad dhe Kamerunin fqinj, duke shkaktuar përgjigje ushtarake.

Sipas OKB-së, grupi terrorist ka vrarë më shumë se 30 mijë njerëz dhe ka zhvendosur rreth 3 milionë në Nigeri.

Në rajonin e Liqenit të Çadit, dhuna e kryer nga Boko Haram ka prekur 26 milionë njerëz dhe ka zhvendosur rreth 2.6 milionë, thekson Agjencia e OKB-së për Refugjatët.


Shtuar 15.04.2022 07:21