Çmimi i naftës bruto në bursa ka shënuar sërish rënie gjatë ditëve të fundit.
Sipas burimeve, në bursat botërore, cmimi ka shkuar sërish në nivelet e para luftës në Ukrainë. Në bursën e Teksasit, çmimi për fuçi luhatej sot mes 88 dhe 89 dollarëve.
Ndërsa në atë të Londrës, ky çmim u luhat mes 94 dhe 95 dollarëve për fuçi. Këto çmime janë për kontratat që lidhen me furnizimet me naftë për muajin Shtator, kur Arabia Saudite që konsiderohet si vendi kryesor anëtar i kartelit të OPEC-ut ka premtuar të shtojë prodhimin me 100 mijë fuçi në ditë për të lehtësuar barrën e rëndë që ka krijuar në tregjet botërore të energjisë, sulmi rus në Ukrainë.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe reduktimi i menjëhershëm i aktivitetit industrial në Kinë, gjatë muajit Korrik, kur autoritetet e Pekinit vendosën të riaktivizojnë masat e ashpra bllokuese kundër përhapjes së COVID-19. Kjo ndikoi në uljen e papritur të kërkesës për naftë. Parashikimet për të ardhmen ekonomike të këtij vendi mbeten të zymta.
Optimizmin e tregjeve po e shton edhe oferta e Bashkimit Europian për rigjallërimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, që mund të heqë sanksionet ndërkombëtare për eksportin e naftës nga ky vend.