Bie “miti” i pjesëmarrjes plebishtare në zgjedhje, regjistrohet përqindja më e ulët që nga viti 1992

Ajo që u përfol të dielën si një pjesëmarrje plebishitare në zgjedhjet e 25 prillit ka rezultuar të jetë më e ulëta ndonjëherë që nga viti 1992 në vendin tonë. Pjesëmarrja më e lartë është ajo e zgjedhjeve të vitit 1992 kur drejt kutive shkuan 91.5 për qind e votuesve e nga këto zgjedhje doli qeveria e parë demokratike.

Shifrën për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 2021-shit e dha këtë të martë Kryekomisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një dalje para mediave kur tha se pjesëmarrja në votime sipas të dhënave të fundit ishte 45.72 për qind e totalit të qytetarëve që kanë të drejtë vote në vend. Sipas listave të votuesve të drejtën e votës në vend e kishin 3,588,869 persona.

Kryekomisioneri është ndalur në deklaratën e tij edhe në shifrat sa i takon numërimit të kutive, ndarjes së mandateve sipas forcave kryesore.

PS, sipas Celibashit, ka marrë 74 mandate me një përqindje prej 48.67 për qind të votave. Partia Demokratikë ka marrë 59 mandate me 39.4 për qind të votave kurse Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 4 mandate apo 6.85 të votave. Partia Social Demokrate ka marrë 3 mandate apo 2.23 për qind.

Aktualisht numërimi i votave vazhdon për Qarkun e Tiranës dhe atë të Durrësit ku mbeten ende kuti të panumëruara.

Kryekomisioneri solli në vëmendje se nga ana e KQZ janë marrë masa për të gjitha rastet kur është konstatuar vonesë apo zvarritje në procesin e numërimit.

Ai nënvizoi se i gjithë procesi i numërimit është i filmuar dhe partive politike do t’ju shpërndahen pamjet filmike në mënyrë që ato ti kenë në dorë për të ndjekur hallkat e tjera që lidhen me procesin e votimit./Monitor


Shtuar 27.04.2021 16:57