Biden thirrje republikanëve të mos bllokojnë ndihmën për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur gatishmërinë për të bërë ndryshime të mëdha në politikën e migracionit dhe u ka kërkuar anëtarëve të Partisë Republikane, që të mos bllokojnë ndihmën për Ukrainën.

Përndryshe, sipas tij, do të kenë shumë për të paguar.

“Jam i përgatitur të bëj ndryshime të rëndësishme në kufi. Dhe ka negociata që po zhvillohen për pesë javët e fundit, kështu që unë shpresoj se do të arrijmë atje”, tha Biden.

Kur u pyetën se çfarë do të ndodhë më pas me mbështetjen për Ukrainën, Biden u përgjigj: “Epo, nëse kolegët e mi republikanë nuk e financojnë Ukrainën, ata do të kenë shumë për të paguar”.

Kujtojmë se republikanët amerikanë kanë bllokuar ndihmën për Ukrainën prej disa muajsh, duke kërkuar që të plotësohen propozimet e tyre në lidhje me ndryshimet në politikën amerikane të migracionit dhe forcimin e kufirit jugor.


Shtuar 16.01.2024 09:03