Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur edhe sot fjalën e tij para mbështetësve të mbledhur poshtë pallatit. Berisha u shpreh se tirania më e pamëshirë dhe më e keqe që kanë përjetuar ndonjëherë shqiptarët është tirania e varfërisë nga vjedhjes nga qeveritarët.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen në të pakufishme. Përulem para jush me nderimin më të madh, qëndrestare dhe qëndrestarë, njerëz të guximit, mbrojtës të të vërtetave dhe kauzës së drejtë, të pamposhtur në këtë mision të madh për shoqërinë shqiptare, për kombin shqiptar. Miqtë e mi! Çdo shqiptar dhe shqiptare duhet ta dijë se aktualisht tirania më e shëmtuar, më e pamëshirë, më e keqe që kanë përjetuar ndonjëherë është tirania e varfërisë nga vjedhjet dhe plaçkitjet e qeveritarëve. Të dashur miq! Diktatura staliniste më e egra që Europa njohur pas asaj të Hitlerit, diktatura e Enver Hoxhës, ekzekutoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 7000 qytetare dhe qytetarë shqiptarë. Dergji dhjetëra mijëra të tjerë në kampet e përqendrimit.
Por tirania e vjedhjes, tirania e varfërimit nga vjedhja. Vetëm me Covidin, mori më shumë krahasuar me vendet e tjera, 10 mijë jetë. Në total 20 mijë, por 10 mijë më shumë në proporcion se në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, e çdo vend në Europë. Tirania e vjedhjes së taksave, pasurive publike merr jetë njerëzish çdo ditë për mungesë ilaçesh, pamundësi operacioni. Mbasi sot për shkak të vjedhjeve, çdo qytetar shqiptar për të patur shërbimin shëndetësor, duhet të paguajë sipas Bankës Botërore, 60 për qind nga xhepi i tij.