Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i PD-së, Sali Berisha, lëshoi ironira ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te bluza me motiv flamingosh që ai paraqiti pak ditë më parë në një takim në Shkodër. Berisha deklaroi se Rama “mund të stamposë drogën, kokainën, por kurrë flamingot”, ndërsa i kërkoi që në vend të tyre të vendosë në bluzë figurat e Belinda Ballukut, Engjëll Agaçit, Ergys Agasit dhe “Arubën”, duke i lidhur këta emra me akuzat që opozita ka artikuluar ndaj qeverisë.
“Njeriu që nga një anë përpiqet t’i luftojë me mjetet e tjera duke stampuar në bluzën e vet flamengot apo duke i vendosur në Facebook-un e tij, dhe i them nuk ke të drejtë morale ta bësh këtë, tregon amoralitet me këtë”, u shpreh Berisha.
Të lidhura
None found
Më tej, ai vijoi: “Ti mund të stamposh në bluzën tënde Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën. Mund të stamposësh drogën, kokainën, por kurrë flamengot”.
Sipas Berishës, Rama i shfaq herë pas here këta edhe në foton kryesore të Facebook-ut të tij, me bindjen se në këtë mënyrë bëhet më miqësor me ta.
Në mbyllje të deklaratës së tij, Berisha i bëri thirrje kryeministrit të largohet nga detyra. “Edi Rama, për ta mbyllur, thirrja ime është jep dorëheqjen menjëherë se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se Rama është arrogant dhe cinik, duke e akuzuar se i urren të rinjtë dhe se kërkon largimin e tyre nga Shqipëria. Për këtë arsye, Berisha theksoi se ai duhet të japë menjëherë dorëheqjen, pasi sipas tij durimi i tyre po soset.
