Berisha: Shërbimi im më i madh refuzimi i aleancës Rama-Brava për të shndërruar korrupsionin në vdekjen e shqiptarëve

Nga dritarja e shtëpisë së tij ku është në arrest, Sali Berisha tha se shërbimi i tij më i madh është Refuzimi që i bëri aleancës Rama-Brava për të shndërruar korrupsionin në vdekjen e shqiptarëve.

Berisha: Miqtë e mi, nuk besoj se këto ishin shërbimi më i madh që unë bëra gjatë viteve në opozitë dhe jashtë çdo funksioni. Por një shërbim ju garantoj se është më i madhi i të gjitha shërbimeve. Refuzimi që i bëra aleancës Rama-Brava për të shndërruar korrupsionin në vdekjen e shqiptarëve. E them këtë sepse ai vendimi ishte marrë dhe ishte vetëm kundërshtimi im me besimin tek e vërteta, në mbrojtje të interesave tuaja, që atë vendim e bëri hiç, e shndërroi në zero. Ai do të ishte për ju, për kombin shqiptar, një goditje e vërtetë nukleare korruptive për të, qenien dhe të ardhmen e tij.

Pra, çfarë ndodhi?

Korrupsioni i tmerrshëm, i dakordësuar, i ujdisur Rama-Brava u vërsulën me të gjitha mjetet kundër atij që bëri pluhur planet e tyre për një vello të zezë korrupsioni mbi shqiptarët, nga e majta dhe e djathta dhe të gjitha anët. U hakmorën si primitivë dhe përdorën si armë përsëri korrupsionin për të mposhtur antikorrupsionin e Sali Berishës dhe të vërtetat që ai mbronte.

E shpallën në një akt megakorruptiv ndërkombëtar të korrupsionit transnacional, me angazhimin direkt të superspekulantit të njerëzimit, Xhorxh Soros, të të degjeneruarit McGonigal, shpallën Sali Berishën për korrupsion, non grata, duke besuar se në këtë mënyrë, e arkivuan këtë 78-vjeçar në analet e harresës. Por, përsëri beteja vazhdoi midis korrupsionit dhe antikorrupsionit. Sali Berisha, falë idealeve tuaja, trimërisë suaj, guximit tuaj, u ngrit si Feniks në një nga rikthimet më të rralla në histori.


Shtuar 18.01.2024 19:18