Berisha: Rama punon natë e ditë kundër Kosovës, për llogari të Vuçiçit

Ish-kryeministri Sali Berisha, në takimin me krerët e degëve, akuzoi kreun e qeverisë Edi Rama se punon kundër Kosovës nga mëngjesi deri në darkë, për llogari të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Berisha deklaroi në mbledhjen e krerëve të degëve të PD në rrethe se duhet t’u faktojnë shqiptarëve ndryshimin që ata të besojnë në fitoren e demokratëve.

Të lidhura

None found

“Ne do t’u faktojmë shqiptarëve ndryshimin tonë. Shqiptarët na duan një forcë të ndryshuar që të besojmë në fitoren tonë. Çfarë risie tjetër ka në këto primare. Fuqia i kalon seksionit. Besimi ynë është te seksioni. Kemi thënë anëtari, anëtari por nuk e themi formalisht. Tani anëtarin e kemi promotorin e këtij organizimi. Çdo seksion do të ketë listat e zgjedhësve.

Ne do u sjellim listat dhe ata të përcaktojnë simpatizantët e partisë që votojnë bashkë me ne. Ata njohin anëtarësinë, mbështetësit dhe simpatizantët. Dhe marrin përgjegjësinë.  Kjo është një risi shumë pozitive. Ne jemi në këtë proces, më i rëndësishmi që ka zhvilluar PD ndonjëherë për demokracinë e vendit dhe për vendin. Jemi në prag të asaj situate që kemi përballë një armik të të gjitha këtyre i cili ka marrë dhe merr çdo pushtet. Ka marrë dhe merr në duar çdo tender, çdo prokurim, çdo koncesion.

Kemi të bëjmë me një njeri i cili për pasurimin e tij dhe karrigen e tij nuk njeh shoqërinë shqiptare. Nuk njeh interes kombëtar apo publik. I leverdis të marrë vendime anti shqiptare. Është i gatshëm të zbatojë çdo urdhër të Vuçiçit, Erdoganit apo kujtdo qoftë. Shqipëria është shndërruar në çiflig të tij. Nuk zbatohet asnjë normë dhe asnjë ligj. E ka ngarkuar me mision Vuçiçi për Ballkanin e Hapur dhe punon nga mëngjesi në darkë kundër Kosovës”, deklaroi Berisha.


Shtuar 21.10.2022 17:47