Berisha: PD-në donin ta asgjesonin, por demokratët e përballuan me guxim epik

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka prezantuar mbrëmjene sotme kandidatin për Bashkinë e Kavajës, Fisnik Qosja.

Gjatë fjalës së tij para demokratëve Berisha theksoi se PD vitet e fundit është goditur fort nga regjimi i cili kërkoi ta asgjësonte, por guximi epik i demokratëve nuk e lejoi një gjë të tillë.

Ne sot mblidhemi këtu në një kohë kur në pallatet e krimit, të organizatave kriminale, po bëhen projekte ogurzeza, u bënë projekte për të përjashtuar PD-në, forcën politike që solli pluralizmin në Shqipëri, nga zgjedhjet. Sot kjo është përgjigja më e shkëlqyer që kjo organizatë kriminale e kryesuar nga Edi Rama, merr nga qytetarët e Kavajës dhe do e marrë nga mbarë shqiptarët.

Vitet e fundit PD-ja përjetoi skenare dhe kalvare si asnjë forcë tjetër politike në Europë dhe botë në vendet e lira. Përjetoi skenarin ogurzi të Edi Ramës, mafias shqiptare, mafias ndërkombëtare të asgjësimit të saj. Të gjitha këto, se këta mafiozë shqiptarë, amerikanë e çfarëdolloj kombi ishin, kishin vetëm një qëllim; pushtetin e Edi Ramës ta forconim me të gjitha mjetet në mënyrë që këtu të bashkësundonin me të, në mënyrë që Shqipëria të boshatisjes nga shqiptarët, që shqiptarët të largoheshin masivisht dhe këtu të mbretëronte, sundonte mafia.

Kjo goditje u përballua me një guxim epik nga ju epik nga ju demokratët e demokratet e Kavajës dhe mbarë Shqipërisë. Ju u ngritët me guxim, të vendosur, si të pamposhtur në mbrojtje të vlerave që besoni, të idealeve që besoni”, tha Berisha.


Shtuar 10.03.2023 18:13