Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një vizitë në Berlin, ku mori pjesë në veprimtarinë jubilare të Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, si edhe realizoi disa takime me figura të rëndësishme të politikës në Gjermani.
Berisha bëri të ditur se në bisedat me deputetë dhe drejtues të lartë të CDU-së ka shprehur vlerësimin e tij për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare. Po ashtu, ai tha se i ka informuar bashkëbiseduesit për atë që e përshkroi si krizë të rëndë që po kalon Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës.
Të lidhura
None found
“Në të gjitha këto takime shpreha mirënjohjen time të thellë ndaj miqve tanë, CDU-së dhe Bundestagut për mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe opozitës në Shqipëri. Gjithashtu, i njoha bashkëbiseduesit e mi me krizën e thellë që po kalon vendi nën diktaturën autokratike të Edi Ramës, me kërkesat e drejta të rinisë shqiptare në protestën më të gjatë dhe më të fuqishme në historinë e Shqipërisë, si dhe me qëndrimin cinik të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij ndaj këtyre kërkesave.
Gjatë qëndrimit tim në Berlin, takuam dhe u mikpritëm nga miku im ish deputetin dhe ish-zëvendës ministrin e Kosovës Gani Dreshaj dhe përfaqësues të tjerë të diasporës, të cilët i falënderoj shumë përzemërsisht për mikpritjen dhe lehtësitë që na krijuan gjatë qëndrimit në Gjermani”, shkruan Berisha krahas fotove.
