Berisha paralajmërim për krimin elektoral në Durrës: Nuk do gjeni as vrimë miu! Kudo që jeni, do ju kapim

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim elektoral në Durrës. Berisha bëri një paralajmërim për krimin elektoral duke u thënë se do i kapin. Sipas tij këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Këto zonja dhe zotërinj dallojnë si nata me ditën, si e vërteta me gënjeshtrën me kandidatët e Sakos, me kandidatët e Pojës, me kandidatët e Hajrit, me kandidatët e terroristëve elektoralë, të cilët do marrin ndëshkimin më të merituar pas datës 12 maj. Miq, këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet, ndajnë njerëzit e virtytshëm nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre. Ja ku po e deklaroj para jush, vrimë miu nuk do gjejnë. Kudo që të jenë do i kapim, me Sakon, me Gjushin, me kandidatët e tyre.
Për ta nuk ka vend në parlament. Për ta ka vend në koshin e plehrave të historisë.

E dashur Ermira, krenaria e Durrësit, krenaria e Shqipërisë dhe krenaria e kombit. Historia që tregove këtu, arritjet tuaja janë një frymëzim për çdo shqiptar, janë frymëzim për çdo të ri dhe të re, dëshmi e asaj se çfarë mund të bëjnë me vullnetin e tyre, me karakterin e hekurt, me guximin e tyre, të rinjtë dhe të rejat mund të kapin Everestet e të gjitha fushave, në sport, në shkencë dhe kudo tjetër. Miq, 11 Maji është një ditë e madhe në betejën e shqiptarëve për dinjitet njerëzor. Në betejën e shqiptarëve për mirëqenie, begati dhe punësim.

Është një ditë e madhe në besimin e tyre tek Durrësi dhe Shqipëria. Shpresat dhe besimin tek e ardhmja. Durrësi i shekujve dhe mijëvjeçarëve, Durrësi i qytetarëve të mrekullueshëm, kryeurë e kombit me Perëndimin, kam bindjen më të thellë se me 12 Maj gdhin i tëri siç është në shpirt, fitimtar, virtuoz, i pamposhtur. Me 11 Maj, ne ndahemi nga një lëngatë. Nga një e keqe që kaploi Durrësin dhe Shqipërinë, që i varfëroi nga viti në vit shqiptarët dhe që i largoi ata nga Shqipëria.


Shtuar 6.05.2025 21:17