Berisha “non grata”, Kadilli: Ta sqarojë këtë çështje privatisht, mos e përziejë PD-në

Ish anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli ka reaguar pas shpalljes “non grata” të ish presidentit dhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Sipas Kadillit, ky lajm ka provokuar shumë emocione  dhe në 30 vjetorin e vendosjes se marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim.

“Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë”, shkruan ndër të tjera Kadilli.

Reagimi i Fatbardh Kadillit:

Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij. Në 30 vjetorin e vendosjes se marrdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.

Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çeshtje privatisht.
Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë.
Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë.


Shtuar 20.05.2021 17:09