Lideri i opozitës, Sali Berisha ka vlerësuar qytetarët të cilët kanë protestuar sërish ditën e sotme para Bashkisë Tiranë, ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
‘Ju përsëri protestuat para bashkisë në kushtet më të vështira. Asgjë nuk u ndal ju për një kauzë të drejtë’, u shpreh Berisha në protestën maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen më të pakufishme për ju qëndrestare dhe qëndrestarët e pamposhtur, misionarët e vërtetë të dinjitetit, të lirisë, të shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Të dashur miq, sot ju përsëri protestuat para bashkisë në kushtet më të vështira.
Por asgjë nuk u ndali ju pa protestën e mosbindjes civile për një kauzë të drejtë për çdo qytetar shqiptar.
Por e vërteta është për një kauzë të drejtë për çdo qytetar evropian dhe çdo qytetar të lirë në botë.
Miqtë e mi, ju duhet ta dini se çdo ditë që ju qëndroni me sakrifica kundër këtij regjimi, u lartëson ju në rolin e misionarit të vërtetë.
Në rolin e vizionarit, në rolin e luftëtarit të pamposhtur që mbron një kauzë më të drejtë dhe më themelore të njeriut.
Mbron kauzën e lirisë!
Që mbron interesat e tij dhe të bashkëqytetarëve, bashkëkombasve nga një regjim i cili me fytyrën e tij të zezë, me politikat që ka ndjekur, është dëshmuar regjimi më i pamëshirë ndaj kombit shqiptar.
Regjimi që në 8 vite shpopulloi, zhbëri Shqipërinë si asnjë pushtim tjetër apo asnjë epidemi tjetër në historinë e saj.