Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka kundërshtuar reformën e re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, duke e përshkruar atë si një “platformë për shpopullimin” dhe për largimin e shqiptarëve nga vendi.
Sipas Berishës, reforma territoriale e vitit 2014, e cila e çoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga rreth 400 bashki e komuna në 61 bashki, dëmtoi rëndë decentralizimin dhe shkaktoi mungesë shërbimesh për qytetarët.
Të lidhura
None found
Ai deklaroi se politikat e ndjekura nga qeveria që prej vitit 2014 kanë nxitur braktisjen e vendbanimeve nga shqiptarët. Berisha paralajmëroi se protestat kundër reformës do të vijojnë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së përshëndeti dhjetëra mijëra qytetarët që, sipas tij, kanë protestuar në zona të ndryshme të vendit. Ai e cilësoi këtë përballje si një betejë për “nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar” dhe u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë atë që e quajti “kryengritje paqësore” kundër qeverisë.
Berisha tha se Edi Rama nuk gëzon më legjitimitet dhe se kjo është dëshmuar, sipas tij, përmes hartës elektorale dhe ndarjes së pushtetit lokal. Ai argumentoi se reforma e vitit 2014, e cila reduktoi nga rreth 400 në 61 numrin e njësive vendore, përbënte goditjen më të madhe ndaj parimit demokratik të decentralizimit.
Ai e akuzoi gjithashtu reformën se, së bashku me politikat e zbatuara ndër vite, është kthyer në një mekanizëm për shpopullimin e Shqipërisë dhe për dëbimin e shqiptarëve, për shkak të mungesës së shërbimeve dhe, sipas tij, bojkotit të plotë të tyre.
“Reforma territoriale e Edi Ramës, e bashkuar me politikat e ndjekura nga viti 2014 deri më sot, e ka tejkaluar më shumë se dy herë, për nga fuqia e largimit të shqiptarëve nga shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e tyre, platformën e Vaso Çubrilloviçit”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, kjo platformë përfshinte largimin e shërbimeve, rrënimin e arsimit dhe shëndetësisë, neglizhimin e infrastrukturës dhe intimidimin përmes policisë, ndërsa shoqërohej edhe nga një marrëveshje ndërkombëtare me Turqinë për transferimin e shqiptarëve nga Kosova drejt këtij shteti.
Berisha pretendoi se, pavarësisht regjimit shtypës të Gjeorgjeviçit dhe Paniçit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Edi Rama ka tejkaluar dyfish numrin e shqiptarëve të larguar nga Shqipëria, krahasuar me ata që u dëbuan nga Kosova.
Ai akuzoi kryeministrin për përqendrim të të gjitha pushteteve në duart e tij dhe për centralizim të plotë, duke thënë se në disa aspekte ka tejkaluar edhe Enver Hoxhën. Sipas Berishës, në vend që të korrigjonte problemet e reformës së parë, Rama ndërmori një tjetër hap duke propozuar shkurtimin e 15 bashkive dhe uljen e numrit të tyre në 46.
Ky propozim, sipas tij, ka shkaktuar reagim të fortë si te banorët e bashkive që do të shkurohen, ashtu edhe te qytetarët e zonave që humbën pushtetin vendor në mënyrën më të pajustifikueshme në vitin 2014.
Berisha deklaroi se centralizimi i pushtetit nga Edi Rama është i ngjashëm me sundimin e një sulltani, duke pretenduar se një përqendrim i tillë nuk është parë më parë në historinë e Shqipërisë. Ai e akuzoi kryeministrin se synon të vijojë largimin e shqiptarëve dhe ta mbushë vendin me qytetarë nga Azia apo shtete të tjera, veprim që e cilësoi si “aktin më kriminal, më antishqiptar”.
“Përshëndes me gjithë zemër qytetarët, të rinj e të moshuar, burra e gra, të cilët gjatë 70 ditëve të protestës ngritën si kurrë më parë nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar në betejën për të ardhmen”, u shpreh ai.
Berisha përshëndeti gjithashtu qytetarët në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht banorët e bashkive që reforma e re i përcakton për zhdukje, si edhe ata të zonave që, sipas tij, pritet t’i bashkohen protestave.
“Përshëndes dhjetëra mijëra qytetarë në mbarë vendin, nga bashkitë që Edi Rama i ka paracaktuar për zhdukje me reformën e re, si edhe banorët e zonave të tjera që po përgatiten të ngrihen në një kryengritje të fuqishme paqësore, deri në përmbysjen e sulltanit të Surrelit, këtij sundimtari që ka humbur çdo legjitimitet”, tha Berisha.
