Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Ergys Agasi, ka pasur në dispozicion informacione pa kufizim dhe se përbënte kërcënim edhe për NATO-n.
Ai hodhi gjithashtu, dyshime se arrestimi i Agasit mund të jetë rezultat i një marrëveshjeje.
Të lidhura
None found
“Agasi ka pasur akses në informacione të pakufizuara dhe ka përbërë rrezik për NATO-n. Të gjitha të dhënat e sistemit TIMS ua ka dorëzuar armiqve të NATO-s dhe kartelit të Troplinëve. Për këtë arsye u bëj thirrje organizatave ndërkombëtare, Europol-it dhe Eurojust-it, të përfshihen në monitorimin dhe ridimensionimin e hetimit. Ai e ka Edi Ramën nën kontroll të plotë. Prandaj e mbyll këtë me kërkesën për dorëheqjen e Ramës, sepse në karrigen e kryeministrit nuk qëndron gjë tjetër veçse një Agas”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, nëse arrestimi është i negociuar, atëherë marrëveshja është bërë nga Edi Rama. Berisha tha se më pas mund të zhvillohet një proces i ngjashëm me atë të Ilir Beqajt, ku përcaktohet një dënim, ndërsa përballë mbeten 800 mln koncensione të shëndetësisë, për të cilat, sipas tij, nuk thuhet asnjë fjalë.
“Edi Rama, përmes kontrollit që ka mbi SPAK-un, arrin ta përsërisë këtë skemë. Sot Bllako është këshilltar i Bajram Begajt. Kush paguan më shumë, ngjitet më lart”, deklaroi ai.
Berisha shtoi se ekziston mundësia që Rama të ketë bërë një marrëveshje për mbylljen e dosjes. I pyetur për mundësinë e një ndërhyrjeje të Ballukut kundër Ramës, ai tha se kjo nuk përjashtohet, por veshja me nallane dhe pantallona të shkurtra, sipas tij, e forcon më shumë tezën e parë.
“Mund të jetë edhe ndikimi patologjik i Lubisë te drejtori aktual i Përgjithshëm. Çfarë do t’i sillte kjo Lubisë, nëse është ajo që e ka bërë? Kjo do ta shtrinte lakun jo vetëm në fytin e Ramës, por edhe të Linda Ramës. Pra, nëse lëkundesh në mbrojtjen e Lubisë, nuk do të largohesh vetëm ti, por pas teje do të jetë edhe Linda, patronazhistja e AKSHI-t, që do të ndjekë”, tha Berisha.
