Berisha: Biznesi dominohet nga një grup oligarkësh të lidhur me qeverinë dhe bëjnë ligjin sipas interesave të tyre

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka përshëndetur tryezën e organizuar nga Departamenti i Sipërmarrjes, Biznesit dhe Inovacionit me drejtuese Prof. Dr. Liljana Elmazi, tryezën me biznesmenë dhe profesionistë të lirë, ku mori pjesë edhe nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha deklaroi se, për fatkeqësinë e vendit, i tërë biznesi dominohet nga një grup oligarkësh të lidhur me qeverinë dhe bëjnë ligjin sipas interesave të tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës përshëndetëse të tij tha se, biznesi dhe ekspertët e opozitës do të hartojnë një program të të shkëlqyer mbi parimet e një force politike konservatore. Por sipas tij, për të zbatuar këtë program duhet të largohet narkoqeveria Rama.

Berisha: Rëndësi të jashtëzakonshme për biznesin ka garantimi i sigurisë ligjore.

Nga viti 2013 gjer sot në Shqipëri nuk është instaluar me garë të lirë, theksoj, me garë të lirë nuk është instaluar asnjë biznes i madh serioz, ndërkombëtar.

Ato biznese që kanë ardhur, kanë ardhur me praktika të prokurimeve direkte dhe pa garë, praktika që Shqipëria do ti arkivojë në mënyrë përfundimtare si praktika korruptive.

Ndaj dhe do të bëjmë gjithçka për sigurinë ligjore, për garën e hapur për bizneset në vend.

Sot Edi Rama keqpërdoron në mënyrën më korruptive nismën ‘Shqipëria 1 Euro’, pasi nga gara ndërkombëtare e hapur ai e ka kthyer ai e ka shndërruar atë në një privilegj që personalisht kryeministri ja dhuron atyre që e shpërblejnë më shumë.

Në këtë kontekst jo vetëm që nuk inkurajohen investimet e mëdha serioze, por krijohet një klientelë e rrezikshme, një klientelë politike ekonomike e rrezikshme për vendin, biznesin dhe demokracinë e tij.

Në fushën e biznesit, njëlloj si në fushat e tjera, ndodhi një regres i papërmbajtur.

Nuk e kam fjalën këtu vetëm për vendosjen e taksës progresive, por e kam fjalën tek rikthimi i lejeve dhe licencave dhe shndërrimi i tyre në induligjencat e dikurshme mesjetare.

E kam fjalën tek përjashtimi i garës së hapur dhe zhvillimi i prokurimeve sekrete dhe të mbyllura të cilat janë një goditje shumë e rëndë.

E kam fjalën tek spekullimet që bëhen me biznesin e vogël, me taksën e vendosur në shtresën e mesme, në profesionet e lira.

Pra në një mënyrë apo një tjetër, për fatkeqësinë e vendit i tërë biznesi dominohet nga një grup oligarkësh të lidhur me qeverinë dhe bëjnë ligjin sipas interesave të tyre, në bizneset e të gjitha llojeve dhe niveleve.


Shtuar 3.04.2024 18:39