Berisha: Balluku, noterja e vjedhjeve të Ramës është sot me mandat, GJK ka vendosur dy herë për heqjen e imunitetit të Olta Xhaçkës, por ajo s’preket se është e familjes

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka shndërruar parlamentin në një “leckë”, ku nuk respektohet asnjë ligj apo Kushtetuta, dhe se po vepron vetëm për interesat e tij personale e familjare.

Gjithashtu, Berisha përmendi ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “notere të vjedhjeve të kryeministrit”, ndërsa shtoi se ende mban mandatin e deputetes pavarësisht se SPAK kërkoi arrestimin e saj.

Të lidhura

None found

Ai kujtoi edhe rastin e Olta Xhaçkës, teksa tha se për të Gjykata Kushtetuese ka kërkuar dy herë heqjen e imunitetit të deputetes. Por, siç shtoi ai, mandat i saj nuk preket për shkak se ajo është e “rrethit familjar”.

“Këtë parlament që për herë të parë në 35 vite parlamentarizëm pluralist, mbron në mënyrën më të paskrupullt, më antikushtetuese, më antidemokratike, më antikombëtare, vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij familjar dhe qeveritar.

Çdo gjë që dëgjoni të dashur qytetarë vjen nga fakti se Edi Rama e ka shndërruar këtë parlament në një leckë të veten, në të cilin nuk respektohet asnjë ligj, asnjë rregull, as Kushtetuta, asgjë tjetër përveçse interesave të tij.

Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë që shqiptarët të ngrihen në këmbë dhe mbarë bota për imunitetin e Lubi Ballukut, e cila në të vërtetë nuk ishte gjë tjetër veçse noterja e vjedhjeve të Edi Ramës, që vidhte bashkë me të, dhe ajo është sot me mandat.

Është edhe një tjetër këtu, një Olta Xhaçka, dy herë ka vendosur Gjykata Kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të saj, Komisioni i Venecias ka marrë të njëjtin vendim. Ju garantoj unë këtu zonja secila prej jush do kishte fluturuar me kohë nga parlamenti po të kishte qenë rasti, po Olta jo, se Olta është e rrethit familjar.

Këtu është problemi.  Ndaj dhe debatet shtyhen, nuk mund të shtyhen debatet mor zotëri, kanë afate kushtetuese.  Nuk negociohen interpelancat, kanë afate ligjore kushtetuese. Por shtyhen se Edi Rama nuk do parlament. Sepse në këtë parlament, qytetarët presin transparencën e vjedhjeve të tij”, tha Berisha.


Shtuar 9.04.2026 11:28